Pacolli “harron” që ishte zv/kryeministër, President, e deputet- Shprehet i “shokuar” për gjendjen e rëndë të jetesës së një veterani të luftës

Kryetari i AKR-së, që dikush ishte në poste të ndryshme drejtuese të shtetit është shprehur i “shokuar” kinse për gjendjen e jetesës së një veterani të luftës në një fshat afër kryeqytetit. Pacolli tha se një njeri që dikur ka dhënë gjithçka për vendin e tij dhe Kosovës, sot jeton në kushte që janë përtej…

Lajme

28/10/2024 10:01

Kryetari i AKR-së, që dikush ishte në poste të ndryshme drejtuese të shtetit është shprehur i “shokuar” kinse për gjendjen e jetesës së një veterani të luftës në një fshat afër kryeqytetit.

Pacolli tha se një njeri që dikur ka dhënë gjithçka për vendin e tij dhe Kosovës, sot jeton në kushte që janë përtej çdo ndjenje njerëzore e të dhembshurisë.

Duke përshkruar gjendjen e rëndë të këtij veterani të luftës, Pacolli tha se ai jeton në një shtëpi të vjetër e të mykur me gruan dhe tre fëmijë, transmeton lajmi.net.

Pacolli tha se ai është harruar nga shteti dhe shoqëria, që dikur i mbrojti me gjak.

Pacolli tha se çdo veteran meriton nderim, kujdes e mbështetje jo me fjalë por me vepra konkrete.

“Kjo është një thirrje për të gjithë ata që kanë mundësinë të bëjnë ndryshim – institucionet, qytetarët dhe çdo njeri që beson në dinjitetin njerëzor”, shtoi ai.

Postimi i plotë:

Letër Publike

U shokova kur e vizitova shtëpinë e një veterani të luftës në një fshat jo larg Kryeqytetit,  një njeri që dikur ka dhënë gjithçka për vendin e tij Kosovën dhe sot jeton në kushte që janë përtej çdo ndjenje njerëzore të dhembshurisë. Ai, me shoqen dhe 3 femijë, banon në një shtëpi të vjetër dhe të mykur, me mure që shpërbëhen nga lagështia, ku ajri i rëndë dhe mungesa e dritës reflektojnë realitetin e tij të errët. Një njeri i përkushtuar për këtë tokë, tani jeton i harruar nga shteti dhe shoqërija , ai qe dikur mbrojti me gjak.

Me 172  euro pension invalidor dhe pa ndihmë shtesë sociale, ai përballet çdo ditë me pamundësinë për t’i përballuar edhe nevojat më të vogla. Duket sikur ky është fundi i dinjitetit të tij.

Njerëz si ai nuk duhet të ndihen të braktisur apo të humbasin shpresën, e megjithatë, çdo ditë përballja me sëmundjen dhe vuajtjen ia vjedh ngadalë çdo dëshirë për të ardhmen. Shëndeti i tij i rënduar nga sëmundjet e mushkërive e ka detyruar të kërkojë trajtim në një spital jasht shtetit, por një njeri i vetëm si Unë  nuk mund të mbajë gjithçka dhe në çdo kohë, mbi supe pa mbështetje të Qeverisë.

Si një qytetar i këtij vendi dhe si një individ që beson ende në humanizmin dhe në vlerat që na bashkojnë, jam thellësisht i tronditur dhe i turpëruar që kemi arritur në këtë pikë ku veteranët e luftës, njerëzit që na dhanë të ardhmen tonë, po lihen në harresë.

Çdo veteran meriton nderim, kujdes dhe mbështetje, jo vetëm në fjalë, por në vepra konkrete. Të injorosh të drejtat dhe nevojat e tyre është një tradhti e vërtetë ndaj sakrificës së tyre.

Kjo është një thirrje për të gjithë ata që kanë mundësinë të bëjnë ndryshim – institucionet, qytetarët dhe çdo njeri që beson në dinjitetin njerëzor.

Është koha që të mos heshtim për alle kësaj padrejtësie. Nuk kërkojmë mëshirë, por respekt për ata që u flijuan për lirinë tonë. Nuk duhet të lejojmë që një familje e nje heroi të jetojë dhe të vuajë në kushte të tilla.

Duhët të bejmë diçka, urgjentishtë për këtë kategori!