Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës i gatshëm të ndihmojë në politikën e jashtme

Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës ka shprehur gatishmërinë për t’i ofruar mbështetje të plotë institucioneve të shtetit tonë në çështje të politikës së jashtme dhe fusha të tjera duke thënë se integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO lehtëson realizimin e interesave shtetërore të Kosovës. Në Kuvendin e rregullt vjetor, Këshilli i…

Lajme

25/10/2024 19:42

Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës ka shprehur gatishmërinë për t’i ofruar mbështetje të plotë institucioneve të shtetit tonë në çështje të politikës së jashtme dhe fusha të tjera duke thënë se integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO lehtëson realizimin e interesave shtetërore të Kosovës.

Në Kuvendin e rregullt vjetor, Këshilli i Ambasadorëve ka diskutuar mbi veprimtarinë e tij gjatë vitit 2024 dhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës në raport me zhvillimet dhe dinamikat politike rajonale dhe ndërkombëtare.

Anëtarët e Këshillit të Ambasadorëve konfirmuan gatishmërinë dhe përkushtimin e tyre për të vënë në dispozicion potencialin, përvojën dhe kontaktet e tyre në dobi të interesave të shtetërore të Kosovës, si dhe miratoi deklaratën në lidhje me kërcënimin në rritje si pasojë e sfidimit të rendit ndërkombëtar dhe politikat rajonale.

Deklarata e Këshillit të Ambasadorëve të Kosovës

Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës po përcjellë me vëmendje dhe shqetësim zhvillimet e paprecedentë ndërkombëtare të viteve të fundit, me theks të veçantë në Evropën Lindore por edhe krizat e tjera aktuale dhe të mundshme. Këshilli vlerëson se efektet e këtyre zhvillimeve janë të pashmangshme në tërë globin dhe veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, me implikime të mundshme edhe për pozicionin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Agresioni i paprovokuar i Federatës Ruse kundër Ukrainës ka shkaktuar luftën më të madhe në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore dhe ka sfiduar rrënjësisht rendin ndërkombëtar. Politika revizioniste e proklamuar në vazhdimësi nga Presidenti i Rusisë Vladimir Putin po zhvillohet në trajtën e agresionit ushtarak, krahas luftës hibride dhe mbështetjes për partitë ekstremiste të të gjitha ngjyrimeve ideologjike, për destabilizim të vendeve perëndimore.

Situata është më e rrezikshme sesa që ka qenë ndonjëherë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Ekonomia ruse është shndërruar tërësisht në ekonomi lufte për të cilën ka mbështetjen edhe të Kinës. India, Kina dhe vendet e jugut global nuk janë rreshtuar me perëndimin sa i përket agresionit rus dhe kërkojnë të përfitojnë nga mundësia për të blerë burime minerale dhe energji më lirë.

Përshkallëzimi i konflikteve në Lindje të mesme dhe në Ukrainë po rivendos vija të reja ndarëse që çojnë drejt një rendi të ri ndërkombëtar. Ka mobilizm të madh të vendeve autoritare dhe totalitare kundrejt vendeve që përqafojnë vlerat e demokracisë dhe lirisë. Shumë vende kanë qëndrim neutral ndaj Ukrainës dhe nuk i kanë vënë sanksione Rusisë. Ka përpjekje për të krijuar sisteme paralele bankare dhe drejt de-dollarizimit të ekonomisë globale, për zgjerim të BRICS dhe mobilizim rreth termit “jugu global”.

Periudha e pas-luftës së ftoftë kur vlerat demokratike perëndimore mbizotëronin është sfiduar dhe rendi botëror është duke hyrë në fazë të re. Ballkani Perëndimor mbetet hapësira më jo-stabile në kontinentin evropian dhe më i ekspozuar ndaj ndikimit të Rusisë dhe fuqive tjera, të treta. Si i tillë, rajoni ynë është i ekspozuar ndaj skenarëve destablizues të projektuara në Moskë dhe vende tjera të treta të cilave nuk u shkon për shtati ankorimi i fuqishëm i Ballkanit Perëndimor në strukturat dhe vlerat euro-atlantike.

Ballkani Perëndimor mbetet një rajon strategjik i rëndësishëm për stabilitetin e hapësirës euro-atlantike.

Çfarëdo ngecje në integrimet euro-atlantike të rajonit krijon hapësirë për rritje të ndikimeve destabilizuese përmes investimeve ekonomike, aleancave politike, mbështetjes së lëvizjeve nacionaliste dhe antiperëndimore, apo rrymave radikale fetare. Kjo e vë Ballkanin Perëndimor në një udhëkryq përplasjesh interesash gjeopolitike dhe sisteme vlerash konkurruese. Përballë zhvillimeve politike ndërkombëtare të paprecedent, është në interesin jetik të Republikës së Kosovës që të forcojë dhe avancojë kapacitetet e saj shtetërore dhe të thellojë partneritetin me aleatët euro-atlantikë. Kjo bëhet edhe më e domosdoshme në dritën e përpjekjeve të vazhdueshme të Republikës së Serbisë për minimin e shtetit të Kosovës qoftë përmes metodave të dhunshme, siç ishte rasti me sulmin terrorist në Banjskë në shtator të vitit të kaluar, apo me veprime të tjera në të kaluarën, siç ishte me trenin provokues që ishte nisur drejt Kosovës në ditët e fundit të mandatit të presidentit Obama.

Banjskën nuk duhet parë si incident të shkaktuar nga revolta siç pretendon Serbia, por si një politikë e cila ka pritur momentin për të provuar shkëputjen e territorit të Kosovës dhe për ta destabilizuar atë. Serbia në mënyrë të hapur ka shpallur projektin hegjemonist “Bota Serbe”. Për 16 vjet të ekzistimit si shtet i pavarur, Republika e Kosovës është dëshmuar si faktor stabiliteti rajonal, me orientim të patundur euro-atlantik. Republikën e Kosovës nuk e përbashkojnë me aleatët perëndimorë vetëm vlerat sublime të demokracisë politike dhe lirive individuale, por edhe interesat e përbashkëta të stabilitetit dhe integrimit të rajonit tonë në BE dhe NATO. Së këndejmi, integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO do të lehtësonte realizimin e interesave shtetërore të Republikës së Kosovës.

Duke pasur parasysh zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare si dhe sfidave që ato sjellin për Republikën e Kosovës, Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës rithekson nevojën që Republika e Kosovës të angazhohet maksimalisht për thellimin e aleancave strategjike dhe zgjerim të mbështetjes ndërkombëtare. Në mënyrë të veçantë, Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës vë në pah domosdoshmërinë që – krahas fuqizimit të brendshëm të shtetit të Kosovës dhe të konsolidimit të sovranitetit, të avancohet integrimi në sistemin ndërkombëtar.