Prokuroria kërkon dënimin e Bedri Krasniqit për kanosjen ndaj Shkumbin Mehmetit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur fjala përfundimtare në rastin e kanosjes së Bedri Krasniqit ndaj Shkumbin Mehmetit. Prokurorja, Ardiana Veseli, gjatë fjalës përfundimtare kërkoi dënimin e të akuzuarit Bedri Krasniqi për kanosje ndaj Shkumbin Mehmetit, ndërkaq vetë Krasniqi tha se do ta pranojë vendimin e Gjykatës sido që ajo të vendosë. Paraprakisht, prokurorja…

Lajme

24/10/2024 16:24

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur fjala përfundimtare në rastin e kanosjes së Bedri Krasniqit ndaj Shkumbin Mehmetit.

Prokurorja, Ardiana Veseli, gjatë fjalës përfundimtare kërkoi dënimin e të akuzuarit Bedri Krasniqi për kanosje ndaj Shkumbin Mehmetit, ndërkaq vetë Krasniqi tha se do ta pranojë vendimin e Gjykatës sido që ajo të vendosë.

Paraprakisht, prokurorja Veseli dorëzoi fjalën përfundimtare me shkrim dhe shkurtimisht e elaboroi të njëjtën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, prokurorja tha se nga vetë i dëmtuari Mehmeti përmes deklaratës së dhënë në gjykatë, është thënë se çdo fjalë e thënë nga i akuzuari Krasniqi dikën kritike i ka tingëlluar si kërcënuese.

Ndërkaq, Krasniqi në fjalën e tij përfundimtare tha se sido që të vlerësojë gjykata, do ta pranojë atë vendim dhe se ndaj tij nuk do të ushtrojë ankesë.

Po ashtu, Krasniqi tha se nga fytyra mund të duket i vrazhdë dhe se do të donte të ishte i bukur si këngëtari Blero.

“E vërtetë, kam qëllu pak i ashpër dhe i vrazhdë prej fytyrës po unë nuk i kam fajet. Edhe unë kisha pas qejf me kanë i bukur si Blero ndoshta po s’jam”, tha Krasniqi.

I akuzuari Krasniqi, në fjalën përfundimtare përmendi edhe trajnerin e futbollit Faruk Statovci, mirëpo gjykatësi i rastit, Sabit Krasniqi kërkoi që i njëjti të fokusohet në procedurën penale dhe të sqarojë se si e ndjen veten.

“Mendoj se në këtë rast s’ka prova dhe për shkak të sulmeve mbi dy dekada që i kam prej linçimit politik që m’u ka ba, Prokuroria nuk heziton me më akuzu. Në raste të barabarta një person tjetër do ishte akuzu, po megjithatë s’kam kundër diçka Prokurorise pse më kanë akuzu. Mbi 20 vjet jam nonstop me aktakuza edhe pse jam kanë i dënuar, jam kanë nonstop me aktakuza rezerva”, tha Krasniqi.

Më pas, Krasniqi tha se pavarësisht vendimit që do ta marrë Gjykata, ka respekt për gjykatësin dhe kërkoi që sa më shpejtë të jetë e mundur të përpilohet vendimi me shkrim

Më pas, gjykatësi Sadikaj e shpalli të përfunduar shqyrtimin gjyqësor.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 31 tetor 2019, më 18 prill 2019 në rrugën prej Burgut të Sigurisë së Lartë në Gërdoc të Podujevës, në drejtim të Prishtinës, tani i akuzuari Bedri Krasniqi me qëllim të frikësimit apo shkaktimit të ankthit, e ka kanosur me fjalë të dëmtuarin Shkumbim Mehmeti gjatë transportimit të tij për në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali.