“Ta paska dhënë lejen Dejona”, deputetët e ngacmojnë për kthimin në Kuvend: Konjufca S’po më njihshi

Kryeparlamentari u kthye në sallën e Kuvendit të Kosovës, pas mungesës në tri seancat e fundit të jashtëzakonshme, të thirrura nga opozita. Ndërsa ministrat dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje po vazhdojnë t’i bojkotojnë këto seanca, Glauk Konjufca sot nuk e ndoqi shembullin e të tijëve. Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, e ngacmoi posa e mori…

Lajme

24/10/2024 14:16

Kryeparlamentari u kthye në sallën e Kuvendit të Kosovës, pas mungesës në tri seancat e fundit të jashtëzakonshme, të thirrura nga opozita.

Ndërsa ministrat dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje po vazhdojnë t’i bojkotojnë këto seanca, Glauk Konjufca sot nuk e ndoqi shembullin e të tijëve.

Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, e ngacmoi posa e mori fjalën në seancën e jashtëzakonshme, ku po diskutohet për menaxhimin në Korporatën Energjetike të Kosovës. I tha se ka marrë leje nga koordinatorja e komiteteve në LVV, Dejona Mihali për t’u kthyer në udhëheqjen e seancave.

“Faleminderit i nderuar kryetar i Kuvendit. Po më vjen mirë që ke ardhë dhe ta paska dhënë lejen Dejona që të vish këtu në sencë”, tha ajo.

Konjufca regoi menjëherë: “S’po më njihshe bash mirë, po nejse vazhdo”.

Deputeti i radhës që u paraqit në foltore, Hajdar Beqa i PDK-së, e nisi duke folur gjithashtu për kthimin e kryeparlamentarit në sallë.

“Sot paska ardhë kryetari, e përgëzoj. Deputetja paraprake e pyeti a e ke pyet Dejonën. Ky tha nuk po më njihshe mirë. E unë po të pyeti, kryetar, a ke ardhë me leje a pa leje dhe ishalla nuk ke najfarë ndëshkimi për këtë veprim. Megjithatë, të përgëzoj”, tha Beqa.

“Ruaju Hajdar se edhe ty të shkarkon Dejona”, ia ktheu Konjufca.

“Këqyre tash. Çka kam pa, sa veprimet i ka bë edhe në KEK, ndoshta i keni dhënë pushtet të madh e e ka kaluar edhe Kushtetutën”, tha më pas deputeti i PDK-së.