Ramë Buja i reagon deklaratës së Fadil Gecit në Hagë: Unë jam plagosur në Nerodime, jo për këto arsye

Ish-komandanti i UÇK-së, Ramë Buja ka reaguar sot pas deklaratës së Fadil Gecit në Hagë i cili ka dëshmuar kundër ish krerëve të UÇK-së. Geci në një pjesë të dëshmisë së tij ka thënë se Ramë Buja ka marrë plumb pse i ka mbrojtur vëllezërit Geci. Këto i ka mohuar Ramë Buja i cili ka thënë…

Lajme

23/10/2024 19:40

Ish-komandanti i UÇK-së, Ramë Buja ka reaguar sot pas deklaratës së Fadil Gecit në Hagë i cili ka dëshmuar kundër ish krerëve të UÇK-së.

Geci në një pjesë të dëshmisë së tij ka thënë se Ramë Buja ka marrë plumb pse i ka mbrojtur vëllezërit Geci.

Këto i ka mohuar Ramë Buja i cili ka thënë se është plagosur në Nerodime derisa shoqërohej me Hashim Thaçin, e që tregon se plumbi i tij ka ardhur nga ushtria serbe.

“E vërteta e këtij plumbi është se unë kam qenë në zonën e Nerodimës, ku ka qenë edhe Hashimi edhe Fatmiri e të tjerë dhe kemi dal të inspektojmë istikamet dhe aty e kam marrë plumbin. Kështu që, është e ditur që është marrë nga pozicionet e forcave serbe, nuk kam marrë plumb nga shokët e mi do me thënë. Dhe më erdhi keq kur kjo u tha, dhe nuk do të kisha reaguar sepse këto gjëra janë thënë edhe në emisione tjera por meqë ishte çështja e Gjyqit, u krye procesi prandaj reagova. Përndryshe le të flitet çka do, unë nuk merrem me këto fjalomoni dhe nuk dua të merrem asnjëherë, megjithatë ishte Gjyqi dhe mbase është afër shenjënisë aty që të thuhet e vërteta lakuriqe, unë dua të besoj që ai burrë nuk ka dashur ta thotë atë që nuk është e vërtetë por mbase mund të ketë menduar që edhe Rama ka pësuar por unë nuk e di që kam pësuar. Unë e kam thënë gjithnjë atë që kam menduar që është e vërteta por pësuar nuk kam. Aty mund të shkojnë dëshmitarë nga më të ndryshmet për arsye apo motive nga më të ndryshmet, prandaj dua të besoj që njerëzit edhe ato të thëna dhe të dhëna që jepen nuk merren të gjitha si të qëndrueshme dhe të besueshme dhe përsëri një besim bukur i rezervuar që procesi do të përfundoj në favor të atyre që ishin veç çlirimtarë dhe asgjë tjetër”, ka thënë Buja në T7.

Ramë Buja derisa po reagonte ndaj kësaj deklarate ka treguar se Gani Gecin, vëllain e Fadil Gecit e kishte pasur shok dhome gjatë qëndrimit të tij në burgun e Mitrovicës gjatë viteve 1984-1985.

“Ganiun e kam shok burgu në burgun e dikurshëm të ish regjimit. Në një dhomë burgu në Mitrovicë, ai ishte djalë i ri i shkollës së mesme. Ka qenë për një plagosje që ka ndodhur atëherë. Vitet 1984-1985 ka qenë në burg në dhomën time në Mitrovicë dhe kemi kaluar shumë mirë. Unë mundohesha me e trajtu si Lutën tim, e kam fjalën për vëllain e shtatë edhe kështu kemi kaluar për mrekulli dhe unë jam falënderues për kujdesin e atëhershëm që e ka pas me një respekt të veçantë. Pastaj, ajo që ndodhi gjatë luftës ajo komunikatë mbrapshtane që ndodhi, unë vërtetë kam pas një qëndrim gjithmonë kritik për atë sepse kush e bëri si e bëri sepse gjithmonë janë lëshuar komunikata të shtabit ndonjëherë edhe nga vende të ndryshme. Dhe meqë ishte kështu, unë gjithmonë kam thënë kush do që e ka bërë dhe sido që e ka bërë unë jam kundër kësaj komunikate për faktin që ajo familje mund të ketë gabime nga më të ndryshmet sepse jemi gabimqar të gjithë njerëzit e botës por tradhtar në asnjë mënyrë”, ka thënë Buja.

Video: