“Të shihen operacionet e grave të prokurorëve” – Kryemadhi flet pas daljes nga SPAK

Pas daljes nga GJKKO, Monika Kryemadhi ka ashpërsuar gjuhën ndaj organeve të reja të drejtësisë, duke i cilësuar prokurorët e SPAK si të kapur nga kryeministri. Kryemadhi tha se seanca për masat e sigurisë u shty për në orën 3, për shkak të kërkesës së avokatëve për njohjen e provave. Ajo e cilësoi SPAK-un dhe…

Lajme

23/10/2024 12:39

Pas daljes nga GJKKO, Monika Kryemadhi ka ashpërsuar gjuhën ndaj organeve të reja të drejtësisë, duke i cilësuar prokurorët e SPAK si të kapur nga kryeministri.

Kryemadhi tha se seanca për masat e sigurisë u shty për në orën 3, për shkak të kërkesës së avokatëve për njohjen e provave. Ajo e cilësoi SPAK-un dhe GJKKO-n si departamentin e propagandës të kryeministrit Rama.

“Sapo pashë tre muskëtierët e drejtësisë së Edi Ramës, prokurorët Sotir Kllapi, Arben Kraja dhe Altin Dumani. Ishte eksperienca e parë në një sallë gjyqi. Pati një mashtrim të drejtpërdrejtë nga prokurori Arben Kraja, i cili tha se Ilir Meta është marrë në mënyrë normale dhe ka pranuar aktin, kur ju të gjithë e dini se Ilir Meta u rrëmbye nga një grup banditësh. Kërkuam të njiheshim me provat e thashethemeve, por bujaria e gjyqtarit të drejtësisë së kastruar na la vetëm tri orë. I kam kërkuar prokurorit dhe gjyqtarit që të shikojnë dosjen e shpërndarë në media, pasi kanë shkelur nenin 279 për nxjerrjen e sekretit hetimor. Dua të theksoj se kjo godinë këtu mbrapa nuk është drejtësia e re, por departamenti i propagandës së Edi Ramës. Sot kuptova se veglat e Edi Ramës dhe grupit të strukturuar kriminal, i pamë të veshura me togat e zeza. Nuk ka asnjë shpresë për një sistem drejtësie të kapur dhe kriminale. Sot ata kanë bërë një provokim të hapur, duke e ditur marrëdhënien time me Metën, duke na futur në një sallë gjyqi. Ata, për të larguar vëmendjen nga Enchro, trafiku i drogës dhe krimi i strukturuar, kërkojnë të bëjnë një shou mediatik dhe emocional, por më vjen keq që emocionet e tyre nuk i kënaqim dot,” tha Kryemadhi.

Sa i përket tensioneve në seancë mes zotit Meta dhe prokurorëve, Kryemadhi tha se nuk kishte kërcënime nga ana e kreut të Partisë së Lirisë. “Ilir Meta, për mua, sikur e përkëdheli, jo sikur e kërcënoi,” tha Kryemadhi.

Ajo hodhi akuza edhe mbi prokurorët, duke thënë se duhen parë biletat e avionëve dhe udhëtimet e tyre, përfshirë operacionet e grave, për të kuptuar sa të ndershëm janë. “Edhe këtyre prokurorëve që sillen si të ndershëm, t’u shihen biletat e avionëve dhe hotelet, madje edhe operacionet e grave dhe të dashurave që kanë,” përfundoi Kryemadhi./euronews.al/