Hulumtimi, të rinjtë: Të adresohen krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë

Publikohet raporti “Qëndrimet e të rinjve ndaj luftës dhe krimeve të luftës në Kosovë”. Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut publikoi raportin hulumtues mbi temën “Qëndrimet e të rinjve ndaj luftës dhe krimeve të luftës në Kosovë” më 22 Tetor 2024, i realizuar në bashkëpunim me Prof. Dr. Bekim Baliqi. Ngjarjet e…

Lajme

22/10/2024 14:57

Publikohet raporti “Qëndrimet e të rinjve ndaj luftës dhe krimeve të luftës në Kosovë”.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut publikoi raportin hulumtues mbi temën “Qëndrimet e të rinjve ndaj luftës dhe krimeve të luftës në Kosovë” më 22 Tetor 2024, i realizuar në bashkëpunim me Prof. Dr. Bekim Baliqi.

Ngjarjet e luftës u tha se vazhdojnë të kenë ndikim të madh në qëndrimet e të rinjve kosovarë.

Marigona Shabiu, drejtoreshë ekzekutive në YIHR KS, tha se shumica nga të rinjve kanë deklarua se duhet të adresohen krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Edhe pse shumica e të rinjve sipas të dhënave nuk e kanë përjetuar luftën, ata mendojnë që krimet e luftës duhet të ndiqen penalisht. Kurse bisedat me prindërit, anëtarët e familjes së ngushtë dhe njerëzit me përvojë të drejtpërdrejtë nga lufta janë burimet më me ndikim të informacionit nga ngjarjet e luftës. Ky raport është një hap drejtë ballafaqimit me të kaluarën dhe thirrje për drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës”, tha ajo.

Bekim Baliqi, dekan i Fakultetit të Filozofisë në UP tha se pavarësisht që të rinjtë nuk e kanë përjetuar luftën, megjithatë ata kanë kujtime për luftën.

“Ky është hulumtimi i parë i këtij lloji dhe kemi parë të nevojshme me pa  se çfarë burime ata përdorin për informim për të kaluarën. Shumica nga ta janë deklarua se kanë njohuri për të kaluarën. Shumica nga ta janë informua nga familja dhe burimet tjera online sikurse mediat. Shumica e të anketuarve nuk ishin të kënaqur me mënyrën se si në shkollat kontribuuan ne njohuritë e tyre për ngjarjet e luftës”, tha ai.

Ky studim u tha se ofron një analizë gjithëpërfshirëse me të dhëna empirike të mbledhura përmes një hulumtimi të gjerë. Ai hedh dritë mbi mënyrën se si përvojat dhe kujtimet e luftës kanë ndikuar në formimin e qëndrimeve dhe perspektivave të të rinjve të Kosovës. Përmes këtij projekti novator, eksplorohen edhe marrëdhëniet ndërmjet qëndrimeve politike, njohurive për luftën dhe krimet e luftës, si dhe ndikimi i tyre në marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërtimin e besimit.

Qëllimi i këtij hulumtimi është të kontribuojë në adresimin e paragjykimeve, ndërtimin e besimit dhe promovimin e solidaritetit në shoqëri.