Policia e Kosovës me operacion të koduar “007”, sekuestrohen narkotikë në vlerë 450 mijë euro, e kartela grafike për kriptovaluta

Policia e Kosovës dje në rrugën magjistrale Fushë Kosovë-Prishtinë, ka ndaluar një veturë të dyshuar që drejtohej nga Z. J., shtetas kosovar, për trafikim me substanca narkotike. Gjatë operacionit të koduar “007”, Policia e Kosovës ka gjetur 10 kilogramë e 224 gramë, substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me vlerë të tregut 450000 (katërqind…

Lajme

22/10/2024 11:24

Policia e Kosovës dje në rrugën magjistrale Fushë Kosovë-Prishtinë, ka ndaluar një veturë të dyshuar që drejtohej nga Z. J., shtetas kosovar, për trafikim me substanca narkotike.

Gjatë operacionit të koduar “007”, Policia e Kosovës ka gjetur 10 kilogramë e 224 gramë, substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me vlerë të tregut 450000 (katërqind e pesëdhjetë mijë euro).

Lidhur me rastin, në koordinim dhe me urdhër të prokurorit kompetent të krimeve të rënda, është kryer bastisje në shtëpinë e personit të dyshuar në komunën e Graçanicës.

Policia ka njoftuar se gjatë këtij operacioni policor në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar:

  • 10 kilogramë e 224 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë,
  • një veturë me targa vendore,
  • 1445 (njëmijë e katërqind e katërdhjetë e pesë euro),
  • 8970 (tetëmijë e nëntëqind e shtatëdhjetë dinarë),
  • dy telefona celularë,
  • 17 (shtatëmbëdhjetë kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave) të konfiskuara nga Dogana e Republikës së Kosovës.

Në konsultim me prokurorin kujdestar i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe është inicuar rasti për veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve substancave psikotrope dhe analoge’. /Lajmi.net/