​Integrimi evropian, Bislimi: Progresi nuk ka qenë asnjëherë më i madh se tash

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka lavdëruar punën e bërë në rrugën e integrimit evropian të vendit, duke thënë se ajo që nuk u realizua për më shumë se një dekadë u jetësua brenda këtij mandati qeverisës. Ai në një postim në Facebook ka thënë se progresi në procesin e integrimit evropian të Kosovës nuk ka qenë…

Lajme

18/10/2024 23:14

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka lavdëruar punën e bërë në rrugën e integrimit evropian të vendit, duke thënë se ajo që nuk u realizua për më shumë se një dekadë u jetësua brenda këtij mandati qeverisës.

Ai në një postim në Facebook ka thënë se progresi në procesin e integrimit evropian të Kosovës nuk ka qenë asnjëherë më i madh se tash.

“Përtej nivelit të lartë të zbatimit të reformave dhe avancimit në agjendën e tyre, në përmbajtje të saj kanë qenë dhe reforma, të cilat nuk zbatoheshin me vite. Kjo konstatohej si pikë negative apo pengese edhe në vetë raportet e mëparshme të Komisionit Evropian. Në pak kohë, shumë punë të lëna në harresë nga pozita e atëhershme dhe opozita e sotme, gjetën epilog. Shumë prej tyre, përveçse sundimin e ligjit, preknin edhe luftimin e korrupsionit. Kjo e shqetësonte dhe brengoste pushtetin e dikurshëm: transparenca dhe llogaridhënia”, ka shkruar Bislimi.

Ai ka përmendur disa nga reformat, “të cilat kishin me raste edhe më shumë se një dekadë që nuk miratoheshin dhe zbatoheshin”:

“Pakoja e tre ligjeve kundër korrupsionit: Ligji për Agjencinë për parandalimin e korrupsionit, Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe dhuratave dhe Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore;

Ligji për financimin e partive politike; Ligji për zgjedhjet e përgjithshme; rregullorja e Kuvendit të Kosovës; terminalet doganore private nuk ishin në harmoni me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe ne kaluam drejt kalimit gradual nga ato private në ato publike; Ligji i përgjithshëm për inspektimet; Ligji për ushqimin që rregullon sigurinë, cilësinë dhe kontrollin e ushqimit; Ligji për rezervat e detyrueshme të naftës; Transferimi i inspektorëve të sigurisë ushqimore nga komunat në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.”