Shpërthimi në termocentralin Kosova A, Shala: KEK-u dhe Qeveria janë orvatur, mundohen ta minimizojnë problemin e termocentralit

Një defekt teknik serioz u raportua mëngjesin e sotëm të ketë ndodhur në termocentralin Kosova A. Fillimisht kjo u bë e ditur nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ferat Shala. Shala në njoftimin e tij theksoi se në mëngjes ka eksploduar kazani në termocentral dhe se vendi mund të futet në krizë energjetike si pasojë…

Lajme

18/10/2024 13:54

Një defekt teknik serioz u raportua mëngjesin e sotëm të ketë ndodhur në termocentralin Kosova A.

Fillimisht kjo u bë e ditur nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ferat Shala.

Shala në njoftimin e tij theksoi se në mëngjes ka eksploduar kazani në termocentral dhe se vendi mund të futet në krizë energjetike si pasojë e këtij shpërthimi.

Ai gjithashtu ka publikuar edhe një video me pamje nga ky shpërthim.

“Eksplodim i kazanit “bojleri i Albinit”, në Termocentralin Kosova A, Blloku A4. Kjo i shkon për shtati mafisë energjetike, sepse tash na duhet import i energjisë”, shkroi ai në llogarinë e tij në Facebook.

E pas kësaj një reagim pati edhe Korporata Energjetike e Kosovës, nga ku u pranua se shpërthimi ka ndodhur por duke u munduar të “minimizohet”.

Në kumtesë thuhet se zjarri i raportuar në media ka ndodhur jashtë njësisë A4, dhe është lokalizuar dhe fikur në kohë optimale nga zjarrfikësit.

“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin se nuk ka vend për shqetësim në lidhje me operimin dhe sigurinë në njësitë e TC Kosova A. Njësia A4 është ndalur për shkak të një lidhjeje të shkurtër në kabllot e matjeve, dhe është çkyçur nga puna në mënyrë të rregullt.Ekipet e mirëmbajtjes janë angazhuar që nga momenti i ndaljes së njësisë dhe po punojnë për sanimin e gjendjes, me qëllim që njësia të kthehet në operim sa më shpejt”, tha KEK-u.

E në lidhje me këtë rast deputeti Ferat Shala në një bisedë telefonike për lajmi.net ka thënë se termocentrali tashmë është jashtë funksionit, dhe si pasojë, do të prodhojë 125-135 megawatt më pak energji.

“E vërteta është që termocentrali A, blloku A4 tashmë është jashtë funksionit. Sot termocentrali parashihet të prodhojë më pak energji, për 125 deri në 135 megawatt në orë”, tha ai.

Shala u shpreh se reagimin e kishte parë si obligativ, për arsye të mos reagimit në kohë të Qeverisë.

“Në këtë relacion, KEK-u dhe Qeveria janë orvatur dhe po mundohen ta minimizojnë gjegjësisht ta mbajnë të fshehur nga opinion publik çështjen e problemeve në termocentral. Obligimi im ka qenë si rezultat i mos reagimit të qeverisë për disa orë pas asaj që ka ndodhur”, shtoi tutje Shala.

Në pyetjen se nëse si pasojë e shpërthimit do të ketë më shumë reduktime, Shala u përgjigj kështu.

“Çështjen e reduktimeve e vendosin instancat e tjera sepse tash do të rritet importi dhe a do të importojnë dhe kah do të importojnë e dinë më shumë instancat qeveritare. Por tashmë ka 125 MW minimum më pak prodhim vendor”, përfundoi ai.

E në anën tjetër KEK-u para disa orësh, bëri të ditur se nuk ka vend për shqetësim në lidhje me operimin dhe sigurinë në njësitë e këtij termocentrali.

“Zjarri i raportuar në media ka ndodhur jashtë njësisë A4 dhe i njëjti është lokalizuar dhe fikur në kohë optimale nga zjarrfikësit”, thuhet nga KEK-u./Lajmi.net/