Zjarri në termocentralin Kosova A, reagon KEK-u: Po punohet që të kthehet në operim njësia e ndalur

Mëngjesin e sotëm është bërë e ditur se ka shpërthyer kazani në termocentralin Kosova A, saktësisht blloku A4. Kjo është bërë e ditur nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ferat Shala. E pas kësaj një reagim pati nga Korporata Energjetike e Kosovës. KEK-u bëri të ditur se nuk ka vend për shqetësim në lidhje me…

Lajme

18/10/2024 10:15

Mëngjesin e sotëm është bërë e ditur se ka shpërthyer kazani në termocentralin Kosova A, saktësisht blloku A4.

Kjo është bërë e ditur nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ferat Shala.

E pas kësaj një reagim pati nga Korporata Energjetike e Kosovës.

KEK-u bëri të ditur se nuk ka vend për shqetësim në lidhje me operimin dhe sigurinë në njësitë e këtij termocentrali.

“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin se nuk ka vend për shqetësim në lidhje me operimin dhe sigurinë në njësitë e TC Kosova A. Njësia A4 është ndalur për shkak të një lidhjeje të shkurtër në kabllot e matjeve, dhe është çkyçur nga puna në mënyrë të rregullt”,thuhet në njoftim.

Gjithashtu u tha se ekipet e mirëmbajtjes janë angazhuar që nga momenti i ndaljes së njësisë dhe po punojnë për sanimin e gjendjes, me qëllim që njësia të kthehet në operim sa më shpejt.

“Zjarri i raportuar në media ka ndodhur jashtë njësisë A4 dhe i njëjti është lokalizuar dhe fikur në kohë optimale nga zjarrfikësit”,thuhet nga KEK-u.

E nga Korporata Energjetike kanë thënë se informacione duhet kërkuar nga KEK-u,duke harruar se këta të fundit nuk kanë njoftuar për një çështje të tillë, deri në momentin që lajmi veçse është bërë public nga dikush tjetër.

“Korporata Energjetike e Kosovës fton të gjitha mediat dhe palët e interesit që në raste të tilla të kërkojnë informacione zyrtare nga KEK, për të evituar krijimin e panikut përmes lajmeve të pavërteta. Kjo është e rëndësishme për të siguruar që opinioni publik të jetë i informuar saktë”./Lajmi.net/