​Rama: Ne do ta bëjmë gati Shqipërinë për BE brenda vitit 2030

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është zotuar se brenda vitit 2030 Shqipëria do të jetë gati për Bashkimin Evropian. “Ne do ta bëjmë gati Shqipërinë për Bashkimin Evropian brenda vitit 2030”, tha Rama. Këtë deklaratë kryeministri Rama e bëri në Luksemburg, duke shtuar se janë të përkushtuar ndaj BE-së. “Ndihemi shumë entuziast, mjaftë të inkurajuar…

Lajme

15/10/2024 09:58

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është zotuar se brenda vitit 2030 Shqipëria do të jetë gati për Bashkimin Evropian.

“Ne do ta bëjmë gati Shqipërinë për Bashkimin Evropian brenda vitit 2030”, tha Rama.

Këtë deklaratë kryeministri Rama e bëri në Luksemburg, duke shtuar se janë të përkushtuar ndaj BE-së.

“Ndihemi shumë entuziast, mjaftë të inkurajuar që më së fundi nisi me pjesën më të vështirë të punës që nënkupton çeljen e grup kapitujve të themeloreve me 5 kapituj më shumë, plus 3 kritere të cilat do të na bëjnë që të ecim më përpara dhe do të përmbyllim brenda afatit tonë mjaft ambicioz gjithë këtë proces të negociatave dhe më së fundi do ta bëjmë Shqipërinë që ulet si e barabartë rreth tryezës së shteteve anëtare të Bashkimit Evropian”, tha Rama.

Kryeministri Rama në një prononcim për media para konferencës ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së u shpreh se nuk kanë hequr dorë kurrë nga Bashkimi Evropian.

“Jemi shumë të përkushtuar ndaj Bashkimit Evropian qysh prej ditës së parë që i ikëm ferrit të diktaturës duke qenë vendi më i izoluar komunistë në Evropë. Koreja e Veriut e Evropës. Kështu që pavarësisht si është situata ne nuk kemi hequr kurrë dorë sepse për ne Bashkimi Evropian dhe Evropa janë i vetmi vend ku duam të jemi, i vetmi vend që duam tu lëmë brezave të ardhshme me sigurinë që i lëmë në të vetmen hapësirë ku liritë, të drejtat, sundimi i ligjit dhe demokracia mund të garantohet”, u shpreh Rama.

Prononcim para mediave pati edhe Peter Szijjarta, ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, i Hungarisë i cili tha se do të ishin më të lumtur që të kishim vendet e Ballkani Perëndimor në Bashkimin Evropian sidomos Shqipërinë.

“Ajo që kemi vënë në krye të agjendës është përshpejtimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Jetojmë në të njëjtin rajon dhe e dimë se çfarë ndryshimi ka zhvillimi në paqe me Ballkanin Perëndimor dhe ndryshe, dhe natyrisht që ne mund të ndihmojmë me zhvillimin e Ballkanit Perëndimor me zhvillimet paqësore në situatën e tyre. Kështu që do të ishim më të lumtur që të kishim vendet e Ballkani Perëndimor në Bashkimin Evropian sidomos Shqipërinë. Kështu që kjo është edhe fal kryeministrit dhe kabinetit të tij sepse kanë bërë një punë të jashtëzakonshme.

Konferenca ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Evropian, do të shërbejë për hapjen e negociatave me BE-në për grup-kapitullin e parë.