S’ka kuorum për votimin e rezolutës së opozitës, ndërpritet seanca e jashtëzakonshme për ushqimin në FSK

Një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit që nisi në drekë për të diskutuar çështjen e furnizimit me ushqim të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, u ndërpre në mungesë kuorumi të nevojshëm. Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, në emër të deputetëve nënshkrues për thirrjen e kësaj seance, e lexoi në fund një rezolutë e…

Lajme

14/10/2024 16:53

Një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit që nisi në drekë për të diskutuar çështjen e furnizimit me ushqim të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, u ndërpre në mungesë kuorumi të nevojshëm.

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, në emër të deputetëve nënshkrues për thirrjen e kësaj seance, e lexoi në fund një rezolutë e cila mbeti pa u votuar. Ajo kërkonte zgjidhjen me urgjencë të furnizimit të ushtarëve me ushqim, dorëheqje në Ministrinë e Mbrojtjes dhe veprime nga Prokuroria e Shtetit.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria, Ministria e Mbrojtjes që me urgjencë ta zgjidhë çështjen e furnizimit me ushqim si dhe me të gjitha pajisjet tjera të nevojshme. Zyrtarët përgjegjës në Ministrinë e Mbrojtjes duhet të japin dorëheqje. Ministri i FSK-së, zëvendësministri, sekretari i përgjithshëm dhe e gjithë hierarkia përgjegjëse në administratën e Ministrisë. Kërkohet nga Prokuroria e Shtetit që të hapet procedurë ligjore për të hetuar rastin, duke përfshirë edhe dyshimet për FSK-në për çështje që kanë të bëjnë me interesa korruptive”, thuhej në rezolutë.

Nënkryetari i Kuvendit, Enver Hoxhaj, i mbylli punimet e seancës së jashtëzakonshme, për vazhdimin e së cilës tha se do të vendoset në Kryesi.

“Meqë nuk ka kuorum dhe nuk ka të tjerë të paraqitur për fjalë, unë i ndërpres punimet e kësaj seance dhe për vazhdimin e saj ju informojmë si Kryesi e Kuvendit”, tha ai.

Deputetët e PDK-së, LDK-së e AAK-së e akuzuan Qeverinë për korrupsion në Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa e konsideruan shqetësuese situatën në FSK.