Reagon Dodik pas deklaratës së Kurtit: Ata që duan të vijnë në BeH mund të vijnë, por vetëm me dokumente të Serbisë

Sot Kryeministri Albin Kurti tha në samitin e Procesit të Berlinit se Kosova do ta lejojë njëanshëm lëvizjen e lirë për qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës. “Një paradoks u paraqit në janar të këtij viti, kur shtetasit e Kosovës mund udhëtojnë pa vizë në BE, por ende u mungonte liria e lëvizjes në Bosnjë dhe…

Lajme

14/10/2024 13:49

Sot Kryeministri Albin Kurti tha në samitin e Procesit të Berlinit se Kosova do ta lejojë njëanshëm lëvizjen e lirë për qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës.

“Një paradoks u paraqit në janar të këtij viti, kur shtetasit e Kosovës mund udhëtojnë pa vizë në BE, por ende u mungonte liria e lëvizjes në Bosnjë dhe Hercegovinë”, tha Kurti.

E pak para dhënies së këtij lajmi, kryetari i enklavës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, të ashtuquajtur Republika Serbe, Milorad Dodik, i njohur për qëndrimet pro-ruse dhe afërsinë me Putinin, tha i prerë se në BeH mund të futet kushdo por vetëm me dokumente të Serbisë

“Gjatë dhjetë vjetëve të Procesit të Berlinit, asnjë vend nga Ballkani nuk është afruar me BE-në dhe nuk ka asnjë shans që kjo të ndodhë në pesë vjetët e ardhshme”, ka thënë Dodik

Dodik këtë ka deklaruar para samitit të sotëm të Procesit të Berlinit në Berlin dhe ka vënë në dukje se “gjithçka ka të bëjë me një tregim që ne t’i lejojmë njerëzit të hyjnë në Bosnje dhe Hercegovinë me letërnjoftime të Kosovës”.

Ai ka përsëritur se Bosnja dhe Hercegovina nuk e njeh pavarësinë “e shpallur në mënyrë të njëanshme” të Kosovës dhe për këtë arsye “nuk mund të pranojë asnjë lloj bisede përveç marrëdhënieve zyrtare me Serbinë”.

“Ata që duan të vijnë këtu mund ta bëjnë këtë me dokumente të lëshuara nga Republika e Serbisë dhe për këtë nuk ka problem. Megjithatë, ne kemi parë se nga procesi i Berlinit ka disa presione të llojit që nuk mund të zgjidhen derisa BeH ta njohë Kosovën, nëse ndonjëherë e njohin atë”, ka thënë Dodik mbrëmë në një deklaratë për televizionin lokal RTRS.

Sot në Berlin po mbahet samiti i Procesit të Berlinit, në të cilin marrin pjesë përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian.