Maqedonci u bashkohet ushtarëve, ushqehet në kazermën e FSK-së

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci iu është bashkuar sot ushtarëve të FSK-së në kazermën “Adem Jashari” ku është ushqyer bashkë me ta. Kjo vizitë e tij në kazermë duket se ka ardhur pas kritikave të shumta të opozitës në lidhje me problemin e furnizimit me ushqim për ushtarët e FSK-së. Sot, në Kuvendin e Kosovës…

Lajme

14/10/2024 13:35

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci iu është bashkuar sot ushtarëve të FSK-së në kazermën “Adem Jashari” ku është ushqyer bashkë me ta.

Kjo vizitë e tij në kazermë duket se ka ardhur pas kritikave të shumta të opozitës në lidhje me problemin e furnizimit me ushqim për ushtarët e FSK-së.

Sot, në Kuvendin e Kosovës po mbahet seancë e jashtëzakonshme ku po diskutohet për gjendjen e ushqimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari para pak ditësh i ka shkruar letër ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Në letrën e Jasharit të publikuar thuhet se kuzhinierët e institucioneve të tjera, kanë njoftuar se nga 11 tetori nuk do të shkojnë nëpër kazerma.

Komandanti ka alarmuar për rrezikun e helmimit dhe përhapjes së infeksioneve.

“Të nderuar, Me datën 07.10.2024 ju kam njoftuar lidhur me shqetësimet e shërbimit me ushqim për personelin e FSK dhe kam kërkuar që të merrni të gjitha masat, konform legjislacionit në fuqi, që t’i jepni një zgjidhje çështjes së ushqimit në mënyrë që FSK të vazhdojë realizimin e planifikimeve të saj. Sipas raporteve të fundit (me të cilat jeni edhe ju të njoftuar) në njësitë e FSK-së janë paraqitur shqetësime lidhur me shërbimet me ushqim, konkretisht me kuzhinierë (vonesa të ndryshme dhe ka raste kur nuk paraqiten në punë). Përveç mungesës së personelit të kuzhinave, e që ka ndikim në kualitetin e ushqimit dhe probleme të furnizimit me artikuj ushqimor, kemi edhe probleme sanitare, e kjo e fundit paraqet rrezik në helmimin dhe përhapjen e infeksioneve tek personeli i FSK- së”, thuhet në kërkesën e tij.