Reçica: Ka një dualizëm që është shkak i problemeve në Ministri të Mbrojtjes, për atë u largua edhe Armend Mehaj

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Elmi Reçica deklaroi se në FSK nuk është problem vetëm çështja e ushqimit. Sipas tij, aty ka një dualizëm të qartë dhe për këtë arsye ka përplasje brenda ministrisë së Mbrojtjes dhe institucioneve të tjera. Reçica theksoi se arsyeja e dorëheqjes së ministrit të Mbrojtjes, Armend…

Lajme

14/10/2024 13:22

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Elmi Reçica deklaroi se në FSK nuk është problem vetëm çështja e ushqimit.

Sipas tij, aty ka një dualizëm të qartë dhe për këtë arsye ka përplasje brenda ministrisë së Mbrojtjes dhe institucioneve të tjera.

Reçica theksoi se arsyeja e dorëheqjes së ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj nga drejtimi i kësaj ministrie erdhi pikërisht për këto arsye.

Sipas tij ministri aktual, Ejup Maqedonci, po përballet me të njëjtat probleme për këtë arsye.

“E ke Qeverinë e Albin Kurtit me ministrat e vetë, dhe e ke Dejona Mihalin me komitetet e Vetëvendosjes, që janë ministri paralele. A di çfarë thonë ata? I thonë zëvendësministrit ‘shko ti, por ti ke me qenë ministër’. Dhe pastaj atë e konsiderojnë si ministër. Dhe për këtë arsye atje ka rrahje, ka keqpërdorime, ka nxjerrje të vendimeve, dokumenteve, që nuk janë të ministrit. Pse iku ministri paraprak që me aq bujë e prezantuan? Për këto arsye. Pse ky ministër është në gjendje shumë të rëndë tash aktualisht? Për këtë arsye”, tha Reçica.

Sipas Reçicës, oficerët më të mirë nga Ushtria e Kosovës, e kanë braktisur FSK-në.

Deputeti i PDK-së tha se “është e qartë” se “beteja për ushqimin e FSK-së ka qenë beteja kush do të vjedhë më shumë”./Lajmi.net/