​Ushqimi në FSK, Quni: Ushtarët po përballen me rrezikun real nga helmimi

Situatë alarmante e ka quajtur nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni mënyrën e ushqimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Ai theksoi se kjo po ndodhë si shkak i keqmenaxhimit dhe neglizhencës së qeverisë aktuale. Në një konferencë për media, Quni tha se ushtarët po përballen me rrezikun real nga helmimi për shkak…

Lajme

12/10/2024 12:17

Situatë alarmante e ka quajtur nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni mënyrën e ushqimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Ai theksoi se kjo po ndodhë si shkak i keqmenaxhimit dhe neglizhencës së qeverisë aktuale.

Në një konferencë për media, Quni tha se ushtarët po përballen me rrezikun real nga helmimi për shkak të kushteve sanitare. Ai u shpreh se kjo situatë do të duhej të ishte parandaluar, ngase është përgjegjësi bazike e Ministrisë Mbrojtjes.

Ai përmendi faktin që komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari ka paralajmëruar ndaljen e të gjitha aktiviteteve si shkak i kësaj krize.

Quni tha se LDK-ja ka një plan të qartë për ta zgjidhur këtë situatë, derisa potencoi se nën drejtimin e tyre do të aplikonin standardet ndërkombëtare për kushtet dhe ushqimin e ushtarëve të Kosovës.

Ndërkaq, Armend Zemaj nga LDK tha se janë mbledhur votat e mjaftueshme për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme lidhur me këtë çështje.