Qeveria ndau 200 mijë euro për vërshimet në Bosnjë, Nura: 12 milionë euro dëme në Skenderaj, asnjë cent as pas dy vitesh nga qeveria

Qeveria e Kosovës ka ndarë sot 200 mijë euro për ofrimin e ndihmës për rimëkëmbje nga vërshimet e ndodhura në Bosnje e Hercegovinë. Pas këtij vendimi, ka reaguar kryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura. Nura ka thënë se ndonëse kanë kaluar dy vite që nga përmbytjet shkatërruese në Skenderaj, as edhe një cent nuk…

Lajme

11/10/2024 23:37

Qeveria e Kosovës ka ndarë sot 200 mijë euro për ofrimin e ndihmës për rimëkëmbje nga vërshimet e ndodhura në Bosnje e Hercegovinë.

Pas këtij vendimi, ka reaguar kryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura.

Nura ka thënë se ndonëse kanë kaluar dy vite që nga përmbytjet shkatërruese në Skenderaj, as edhe një cent nuk është ndarë nga qeveria e Kosovës.

Ai ka ndarë edhe një foto të bërë nga droni të qytetit, ku shihet gjendja e mjerueshme e vendit. Nuk është Bosnja, është Skenderaj ka thënë ai në shkrimin bashkëngjitur fotos.

“Nuk është Bosnja. Është Skenderaj. Asnjë cent ende për dëmet në rrugë, shkolla, trotuare, kanalizim, rrjet të ujësjellësit, palestra sportive, ura e dëme të tjera në infrastrukturën publike, vlera e të cilave arrin në rreth 6 milionë, as pas dy viteve nga përmbytjet shkatërruese të 19 janarit 2023 në Skenderaj. Ndërkohë që me shpejtësi të dritës vjen reagimi i Qeverisë së skandaleve të njëpasnjëshme të Kosovës, për t’i ndarë 200 mijë euro për vërshimet në Bosnjë”, ka shkruar Nuraj.

Nuraj është shprehur se nuk është kundër që po ndihmohen banorët e Bosnjës, por sipas tij komuna e Skenderajt është anashkaluar qëllimisht, ndonëse dëmet totale mund të prekn shifrën 12 milion.

“Asgjë të keqe pse ndihmohen banorët e atyre zonave të përmbytura në Bosnjë, por e keqja e kësaj qeverie është anashkalimi i qëllimshëm i Komunës së Skenderajt nga mbështetja pas asaj fatkeqësie, që, përfshirë edhe ekonomitë familjare, bizneset e bujqësinë, arrin në mbi 12 milionë euro dëme. Hipokrizi!”, ka përfunduar ai./Lajmi.net