Ndërprehet seanca ndaj ish-kryetarit të Leposaviqit dhe tjerëve

Seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore të Prishtinës, u ndërpre pasi avokatja Fjollë Ibrahimi, me autorizim zëvendësues nga avokati Granit Vokshi, kishte përfaqësuar të akuzuarin Çedomir Timotijeviq në seancën e datës 1 tetor 2024. E njëjta avokate, kishte përfaqësuar të akuzuarin Bojan Banoviq, me autorizim zëvendësues nga avokati Arianit Koci, në një seancë tjetër. Në këtë rast, aktakuza…

Lajme

10/10/2024 15:54

Seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore të Prishtinës, u ndërpre pasi avokatja Fjollë Ibrahimi, me autorizim zëvendësues nga avokati Granit Vokshi, kishte përfaqësuar të akuzuarin Çedomir Timotijeviq në seancën e datës 1 tetor 2024.

E njëjta avokate, kishte përfaqësuar të akuzuarin Bojan Banoviq, me autorizim zëvendësues nga avokati Arianit Koci, në një seancë tjetër.

Në këtë rast, aktakuza ngarkon ish-kryetarin e Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, së bashku me Haxhi Bejtën, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq.

Ndërsa, të akuzuarit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, po akuzohen për veprat penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues Violeta Namani pasi pyeti palët nëse qëndrojnë pranë deklaratave të dhëna më herët dhe se të akuzuarit pohuan se qëndrojnë pranë tyre, ndërpreu seancën.

Seanca e radhës u caktua për një datë tjetër.

Gjykatësja Namani, jashtë seancës tha se çështja e përfaqësimit të dy të akuzuarve u bë e ditur nga vetë avokatja Ibrahimi. Tha se avokatja kishte kërkuar ndjesë, duke shtuar se kishte qenë një lëshim i paqëllimshëm.

Aktakuza ngarkon Dragan Jabllanoviq, ish-kryetar i Leposaviqit për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, së bashku me Haxhi Bejtën, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq. Ndërsa, të akuzuarit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, po akuzohen për veprat penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Ndryshe, në këtë rast akuzohej edhe J.B, mirëpo më 16 tetor 2023, gjykata ka pushuar procedurën penale ndaj saj pasi që e njëjta ka ndërruar jetë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të ngritur më 13 shtator 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.

Të pandehurit në këtë rast, akuzohen se e kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”.

Vepra penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, paragrafi 1 të KPRK-së dënohet me gjobë deri në 250 mijë euro dhe me burgim prej së paku shtatë vjet, ndërsa sipas paragrafit 2 të këtij neni, kjo vepër dënohet me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim prej së paku 10 vjet.

Kurse, vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, kurse vepra penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.