Caktohet masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh për zv/sekretarin e MMPHI-së, Izedin Bytyqi

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh ndaj Izedin Bytyqit, zv/sekretar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje. Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi. “Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti…

Lajme

09/10/2024 17:25

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh ndaj Izedin Bytyqit, zv/sekretar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special  ka vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurit Z.B për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar  kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për të pandehurin Z.B, të njëjtit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, ka thënë Gashi për lajmi.net.
Izedin Bytyqi është arrestuar dje pas një aksioni të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës tek Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, gjatë bastisjes janë sekuestruar një revole e tipit “Mauser-Werkr” me dy karikatorë e shtatë fishekë, 34 dokumente të ndryshme, tre telefona, 17 USB, tre laptopë, 4 shtëpiza të kompjuterit, e po ashtu dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore. Po ashtu, është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi për 6 banesa me lokacione në Prishtinë e Fushë-Kosovë. /Lajmi.net/