Dy nga të akuzuarit nuk deklarohen fare rreth fajësisë për sulmin terrorist në Banjskë

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka nisur seanca e shqyrtimit fillestar kundër tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023. Në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq nuk u deklaruan rreth fajësisë. Kurse, Dushan Maksimoviq u deklarua i…

Lajme

09/10/2024 10:14

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka nisur seanca e shqyrtimit fillestar kundër tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023.

Në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq nuk u deklaruan rreth fajësisë. Kurse, Dushan Maksimoviq u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën për sulmin terrorist në Banjskë.

Paraprakisht, u bë leximi i aktakuzës nga prokurori special, Naim Abazi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjyqtari i çështjes është Arben Hoti, njoftoi të akuzuarit se janë udhëzuar nga Gjykata për të drejtat e tyre dhe para deklarimit, i udhëzoi se kanë të drejtë të mos deklarohen për këtë çështje, të mos përgjigjen në pyetje dhe se nëse deklarohen nuk janë të inkriminuar.

Pas kësaj, i akuzuari Blagoje Spasojeviq tha se e ka kuptuar aktakuzën dhe tani për tani nuk do të deklarohet rreth fajësisë.

Edhe i akuzuari Vladimir Toliq tha se në këtë fazë të procedurës nuk dëshiron të deklarohet rreth fajësisë.

Kurse, Dushan Maksimoviq u deklarua i pafajshëm, duke thënë “I nderuar gjyqtar në këtë sallë shumica mendojnë se jam i përfshirë në këtë vepër penale”.

Pas kësaj, gjyqtari Hoti njoftoi të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të bëjnë kundërshtimin e provave dhe të bëjnë kërkesë për hudhje të aktakuzës.