Tahiri: Rritja e pensioneve vetëm mashtrim elektoral, 20 euro nuk luajnë asnjë rol

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme ka njoftuar se të gjitha pensionet do të rriten për 20 për qind. Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, këtë ditë po e quan si ditën më të ulët të Qeverisë Kurti. Tahiri thotë se kjo rritje e pensioneve…

Lajme

07/10/2024 17:40

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme ka njoftuar se të gjitha pensionet do të rriten për 20 për qind.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, këtë ditë po e quan si ditën më të ulët të Qeverisë Kurti.

Tahiri thotë se kjo rritje e pensioneve është rritja më minimale ndonjëherë, duke e quajtur vetëm mashtrim elektoral.

“Rritja e pensioneve është rritja më minimale që ka mujt me ndodhë, ka pasur logjikë ministri i financave dhe qeveria me pasë rritje progresive vit pas viti, psh vitin e parë 20%, vitin e dytë 30%, tretin 40%, e tjetrin 50%, me u dyfishu, por me bë një rritje kaq minimale 20 euro, 2 muaj para se me shku në fushatë zgjedhore, të bëhet ky veprim, ky veprim nuk quhet asgjë tjetër vetëm mashtrim elektoral,” tha Tahiri në Dukagjin.

Teksa thekson se 20 euro nuk luajnë asnjë rol për asnjë pensionistët.

“Sot ka qenë dita më e ulët e kësaj qeverie, nëse ka një ditë që e përfytyron një qeveri që do me cdo kusht me shpërnda mashtrimin, kjo nuk është rritje, 20 euro nuk luajnë rol sot për asnjë pensionist,” shtoi Tahiri.

Këtë veprim të Qeverisë, Tahiri thotë se e sheh vetëm si veprim elektoral, pasi sipas tij ndaj pensionistëve kjo është vetëm “një goditje e madhe për shkak se kjo rritje nuk u jep asnjë përgjigje pensionistëve.”