Mungesë e sinjalistikës, rrezik i kthesave e gjithçka tjetër e përfshin rrugën Prishtinë-Gjilan që po u merr jetën shumë të rinjve

Një ngjarje tejet e rëndë ka ndodhur natën e së shtunës në vendin tonë. Reshjet e mëdha të shiut, rruga tejet e keqe dhe aspak e përshtatshme bëri që për tre të rinj ajo të jetë nata e fundit e jetës. Një aksident i rëndë trafiku ndodhi në rrugën Gjilan-Prishtinë, saktësisht tek Liqeni i Badocit.…

Lajme

07/10/2024 09:00

Një ngjarje tejet e rëndë ka ndodhur natën e së shtunës në vendin tonë.

Reshjet e mëdha të shiut, rruga tejet e keqe dhe aspak e përshtatshme bëri që për tre të rinj ajo të jetë nata e fundit e jetës.

Një aksident i rëndë trafiku ndodhi në rrugën Gjilan-Prishtinë, saktësisht tek Liqeni i Badocit.

Nga ky aksident ku vetura ra në liqenin e Badocit dhe u deshën disa orë për t’i nxjerrë jashtë liqenit, humbën jetën tre të rinj, të moshës 21 vjeçare.

Aksidenti i mori jetën: Shpat Shehut, Rifat Pacollti dhe Ardit Gashit.

Lajmi ishte konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, ku si fillim u tha se në aksident ishte e përfshirë vetëm një veturë në lëvizje e sipër dhe se vdekjen e të rinjve e ka konfirmuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

Por ky aksident në fakt nuk është i vetmi në këtë anë, madje nuk është “surprizë” për autoritetet e vendit.

Rruga Prishtinë-Gjilan dhe anasjelltas shpesh herë ka ditur të jetë fatale për shumë njerëz, e kjo si shkak i rrezikut që paraqet ajo dhe si shkak se kushtet për të lëvizur në të janë minimale.

E kjo rrugë u bë edhe më e vështirë për t’u kaluar pas “prishjes” totale të urës tek liqeni.

Ura jo shumë e gjatë, por tejet e nevojshme u la në mëshirën e fatit tash e 1 vit.

Për ndërtimin e urës jo më të gjatë se 38 metra u dhanë 468 mijë e 522 euro  nga Ministria e Infrastrukturës për kompaninë “Dreni Inginering”.

Pavarësisht gjithë kësaj “paraje”, në këtë urë tek muajin e kaluar janë parë dy ekskavator, e qe padyshim nuk kanë bërë asgjë.

E aty ku është prishur ura, lidhja e rrugës Prishtinë-Gjilan u bë përmes një rruge ndihmëse apo devijuese e cila si fillim ishte në zhavor  më pas iu shtrua asfalti që ende pa kaluar një vit është prishur.

Por kjo rrugë 2 kilometërshe është shumë e rrezikshme për shkak të kthesave të thella, edhe më shumë për shkak të mungesës së sinjalistikës rrugore.

Mungesa e madhe e sinjalistikës rrugore shpesh herë ka qenë problem, e shkaktar i shumë aksidenteve në këtë anë.

E duke mos u marr askush me këtë problematik, aksidentet veçse janë shtuar e janë bërë edhe më të rrezikshme për qytetarët.

Por pavarësisht kësaj, askush nuk merr përgjegjësi.

Madje zv.minsitri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, me krenari fliste para dy javësh për “punimet tek ura” duke thënë se pas ndryshimeve në projekt tashmë ka përfunduar vendosja e politave në bazametin e urës.

Kjo urë në fakt ishte parashikuar që të realizohej brenda katër muajve, por as kjo nuk u bë.

Sipas tij po punohet intesivisht, derisa realiteti tregon krejt diçka tjetër, që kjo urë e shkurtër 38 metërshe nuk është asgjëkund.

Rruga që shpesh herë u mori jetën të rinjve, e disa të tjerëve u shkaktoi dëme të mëdha shëndetësore e materiale po lihet në mëshirën e fatit.

Ditë më parë, Ministria e Infrastrukturë zgjodhi që të investojë në rrugën që lidh Kishnicën me Bresalcin, por jo në gjithë rrugën e gjatë që duhet të kalojnë çdo ditë qytetarët që lidh kryeqytetin me Gjilanin dhe anasjelltas.

Fatkeqësia e së shtunës mbrëma urojmë të jetë e fundit në çdo familje të Kosovës, por rreziku që ajo të përsëritet është tejet i madh.

Duhet theksuar se ishte paraparë që autostrada Prishtinë-Gjilan- Dheu i Bardhë të bëhej ndihmëse për qytetarët që të mos u duhet të kalojnë më në këtë rrugë tejet të vështirë e me kthesa të rrezikshme, sidomos në afërsi të liqenit, por as kjo nuk u bë.

Derisa po mbyllet gati vitit 2024, punimet e kësaj autostrade janë asgjëkundi.

Duhet përkujtuar që numri i aksidenteve në vendin tonë është çdoherë e në rritje e sipër.

Brenda 24 orëve çdo ditë raportohen mbi 50 aksidente në trafik, e që shpesh herë në mesin e tyre ka edhe viktima, gjë që e bën këtë fakt edhe më të dhimbshëm./Lajmi.net/