Sulmi raketor i Iranit: 26 kosovarë janë në Izrael, në mesin e tyre edhe katër të mitura që po shkollohen atje

Rreth 200 raketa balistike lëshoi Irani të martën mbrëma në drejtim të Izraelit, duke thënë se ishte një përgjigje ndaj vrasjes së liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah dhe të tjerëve. Këto raketa balistike jo vetëm që shkaktuan dëme të mëdha, por edhe shndërruan situatën e Lindjes së Mesme në një situatë edhe më të ashpër,…

Lajme

04/10/2024 12:32

Rreth 200 raketa balistike lëshoi Irani të martën mbrëma në drejtim të Izraelit, duke thënë se ishte një përgjigje ndaj vrasjes së liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah dhe të tjerëve.

Këto raketa balistike jo vetëm që shkaktuan dëme të mëdha, por edhe shndërruan situatën e Lindjes së Mesme në një situatë edhe më të ashpër, e aspak të sigurtë.

Mbi 10 milionë izraelitë u detyron që të evakuoheshin dhe të strehoheshin në vendet e sigurta.

E nga ky sulm po ashtu thuhet të kenë humbur jetën nëntë persona.

Pas situatës së krijuar, lajmi.net ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës nga ku ka kërkuar përgjigje nëse në Izrael është ndonjë kosovar dhe si qëndron situata me ta.

E nga MPJD thanë se numri i shtetasve të Kosovës që ndodhen për momentin në Izrael është 26, kryesisht të angazhuar me punë në organizata ndërkombëtare.

Sipas ministrisë së Jashtme, në këtë grup të kosovarëve hyjnë edhe katër shtetase të mitura që janë nxënëse në shkollat e mesme në Izrael.

“Numri i shtetaseve të Kosovës që ndodhën për momentin në Izrael është 26, kryesisht të angazhuar me punë në organizata ndërkombëtare. Në këtë grup hyjnë edhe katër (4) shtetase të mitura që janë nxënëse në shkollat e mesme në Izrael”.

Sipas kësaj ministrie, Ambasada e Kosovës në Izrael ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë qytetarët e Kosovës, që aktualisht ndodhen në shtetin e Izraelit dhe se gjendja e tyre është e mirë.

“Konfirmohet se nuk ka asnjë të lënduar në mesin e tyre nga sulmi i fundit i Iranit ndaj Izraelit”,thuhet po ashtu në përgjigje.

Gjithashtu nga MPJD u tha se Ambasada ka qenë po ashtu në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet izraelite dhe sipas informacioneve zyrtare nuk ka pasur plane për evakuime brenda shtetit të Izraelit, ose të shtetasve të huaj për largim nga Izraeli.

“Kjo pasi aeroportet dhe hapësira ajrore kanë qenë të mbyllura. Nga mëngjesi i djeshëm gradualisht ka filluar të operojë aeroporti Ben Gurion, me disa fluturime të rregullta”, theksohet tutje.

E përpos kësaj, Ministria ka në shërbim edhe linjat telefonike emergjente, ku shtetasit e Kosovës të cilët jetojnë në atë shtet  mund të kontaktojnë dhe të kërkojnë ndihmë përgjatë 24 orëve.

E zhvillime të njëpasnjëshme ka pasur në kuadër të Izraelit dhe Iranit. Bota ka dënuar njëzëri sulmet me raketa balistike të Iranit në Izrael.

Ndërsa udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei sot ka deklaruar se sulmi Iranian i së martës ndaj Izraelit është “ndëshkimi më i vogël”.

Sipas tij, Irani do të sulmojë përsëri Izraelin “nëse është e nevojshme”.

Kurse një natë pas sulmeve, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka deklaruar se sulmi raketor i Iranit kundër Izraelit dështoi, derisa u zotua për hakmarrje.

“Irani bëri një gabim të madh dhe do të paguajë për të”, tha Netanyahu në një takim të kabinetit të tij.

“Regjimi në Iran nuk e kupton vendosmërinë tonë për të mbrojtur veten dhe vendosmërinë tonë për t’u hakmarrë kundër armiqve tanë. Ne do t’i qëndrojmë rregullit që kemi vendosur: këdo që na sulmon, do ta sulmojmë”, shtoi ai.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dënuar sulmin raketor ndaj Izraelit.

Kurti në postim në platformën “X” ka thënë se e mbështet të drejtën e Izraelit për ta mbrojtur veten dhe të gjitha përpjekjet për të arritur një armëpushim të menjëhershëm.

“Jemi thellësisht të shqetësuar për sulmin e sotëm me raketa nga Irani ndaj Izraelit, në të cilin u lëshuan rreth 200 raketa. I bashkohemi qeverive tjera në dënimin e këtij agresioni. Një vit pas sulmeve terroriste të Hamasit më 7 tetor, rritja e vazhdueshme e dhunës është alarmante. Ne mbështesim të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe të gjitha përpjekjet për të arritur një armëpushim të menjëhershëm”, ka shkruar Kurti, shkrim ky i cili më pas u shpërnda edhe nga shumë zyrtarë izraelit.

Numrat e telefonit në dispozicion:

Izrael:

+972 586340450

+972 525033152

Arabi Saudite:

+ 971 54 7092109

+ 966 11 453 5799

Turqi:

+90 5311 056 391

+900 312 446 70 54

Kosovë:

+383 46 41 00 41

+383 46 51 00 51./Lajmi.net/