Flet avokati i Ridvan Muharremit: Intervistimi do të vazhdojë, sot u intervistua si i dyshuar për rezervat shtetërore

Në objektin e Prokurorisë Speciale të Kosovës sot është parë Ridvan Muharremi, emër i njohur për shoqërinë kosovare. Ridvan Muharremi ka “zbarkuar” në Prokurorinë Speciale për t’u intervistuar në njërin prej rasteve më të rënda sa i përket dëmtimit të buxhetit, në atë të rezervave shtetërore. Intervistimi i tij është konfirmuar nga Prokuroria Speciale, ndërsa…

Lajme

04/10/2024 12:14

Në objektin e Prokurorisë Speciale të Kosovës sot është parë Ridvan Muharremi, emër i njohur për shoqërinë kosovare.

Ridvan Muharremi ka “zbarkuar” në Prokurorinë Speciale për t’u intervistuar në njërin prej rasteve më të rënda sa i përket dëmtimit të buxhetit, në atë të rezervave shtetërore.

Intervistimi i tij është konfirmuar nga Prokuroria Speciale, ndërsa të njëjtën gjë e tha edhe vetë avokati , Mahmut Halimi.

“Pas interesimit për të marr informacion nga një numër i  madh i gazetarëve, Prokuroria Speciale informon se sot, Ridvan Muharremi, është paraqitur në Prokurorinë Speciale me ftesë të kësaj prokurorie.I njëjti është duke u intervistuar në cilësinë e të pandehurit për një çështje penale, të cilën kjo prokurori e ka në hetim”, thuhet në njoftim.

I kontaktuar nga lajmi.net, avokati Halimi deklaroi se klienti i tij është intervistuar nga Prokuroria Speciale pikërisht për rastin e lartcekur atë të rezervave shtetërore.

“Po është duke u intervistu. Për një rast, është i vetmi që dihet, për rezervat e ministrisë“, u shpreh Halimi.

Ai tutje pohoi se klienti i tij ende e ka statusin e të dyshuarit dhe se intervistimi i tij thuajse ka përfunduar.

“Ky e ka ende statusin e të dyshuarit. Thuajse ka përfunduar, kemi mbet me na lajmëru tash cilën ditë me shku për vazhdimin e dëshmisë“, përfundoi ai.

Ridvan Muharremi, është njëri nga personat që mbeti i arrestuar për skandalin me rezervat shtetërore në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë.

Skandali me vajin, la të arrestuar edhe dy zyrtarë të kësaj ministrie, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara. Por, emri që më së shumti po komentohet është emri i Ridvan Muharremit.

Ndryshe në lidhje me këtë skandal ishte raportuar se dëmi i buxhetit kap vlerën e 600 mijë eurove./Lajmi.net/