Ministria e Financave njofton se nuk ka para për të gjithë punonjësit e komunës së Vitisë

Ministria e Financave ka njoftuar se Komuna e Vitisë, nuk ka siguruar buxhetin e nevojshëm dhe pagat do të ekzekutohen vetëm për  një pjesë të komunës. Kjo komunë udhëhiqet nga kryetari, Sokol Haliti nga radhët e LDK-së. Dhe është komuna e vetme qe sipas ministrisë, që ka mungesë buxheti në kategorinë e pagave. Njoftimi i…

Lajme

01/10/2024 17:29

Ministria e Financave ka njoftuar se Komuna e Vitisë, nuk ka siguruar buxhetin e nevojshëm dhe pagat do të ekzekutohen vetëm për  një pjesë të komunës.

Kjo komunë udhëhiqet nga kryetari, Sokol Haliti nga radhët e LDK-së.

Dhe është komuna e vetme qe sipas ministrisë, që ka mungesë buxheti në kategorinë e pagave.

Njoftimi i plotë:

Komuna e Vitisë nuk siguron buxhetin e nevojshëm, pagat ekzekutohen vetëm për një pjesë të punonjësve të komunës.

 

Përkundër që buxheti për paga ndahet asisoj që të mbulojë shpenzimin për tërë vitin, si pasojë e rasteve përmbarimore, disa komuna kanë filluar të kenë mungesë buxheti në kategorinë e pagave qysh tani.

Thesari i Kosovës ka njoftuar me kohë komunat të cilat janë ballafaquar me këtë problem që të bëjnë korrigjimet dhe përshtatjet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutimin e pagave të muajit shtator, dhe të gjitha komunat e kanë bërë përpos njërës.

Komuna e vetme që nuk e ka bërë këtë rregullim është Vitia, e cila ka lënë programet e arsimit fillor dhe të mesëm pa buxhet të mjaftueshëm për ekzekutim të pagave të shtatorit.

Me qëllim që të mundësohet ekzekutimi i pagave për të gjithë punonjësit e komunës, Thesari i ka dërguar në vazhdimësi njoftime Komunës së Vitisë, përfshirë edhe ditën e djeshme, të cilëve u është dhënë mundësia gjatë gjithë ditës duke i pritur që t’i bëjnë rregullimet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutim të plotë të pagave.

Megjithatë, zyrtarët e Komunës së Vitisë nuk kanë reflektuar, gjë që nënkupton se kur është bërë ekzekutimi i pagave sot, sistemi me automatizëm i ka refuzuar ekzekutimet për programet që nuk kanë buxhet të mjaftueshëm.

Pra, për zyrën e kryetarit, administratën dhe programet tjera sistemi ka bërë ekzekutimin e pagesave, por jo edhe për programet e arsimit fillor e të mesëm, sepse komuna nuk është siguruar që në këto dy programe ka buxhet të mjaftueshëm.

Duke qenë të vetëdijshëm për situatën e të punësuarve dhe nevojën për të pranuar pagën e tyre, MFPT është e gatshme që kurdo që Komuna e Vitisë bën përshtatjet e nevojshme dhe siguron buxhetin e mjaftueshëm, të bëjmë një ri-ekzekutim të pagave vetëm për këto dy programe.