Kurti: Ne i bashkohemi sanksioneve kundër Rusisë dhe punojmë drejt integrimit të plotë në NATO dhe BE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbajti një ligjëratë dhe bashkëbisedoi me Drejtorin Ekzekutiv të “Blue Center for Global Strategic Assessment”, Phil Kaplan dhe me studentë të Universitetit Yale, në Shkollën Jackson për Çështje Globale, përkatësisht në temën “Kosova 25 vite pas çlirimit: Progresi demokratik dhe një ekonomi në rritje – dhe rritja e…

Lajme

30/09/2024 22:54

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbajti një ligjëratë dhe bashkëbisedoi me Drejtorin Ekzekutiv të “Blue Center for Global Strategic Assessment”, Phil Kaplan dhe me studentë të Universitetit Yale, në Shkollën Jackson për Çështje Globale, përkatësisht në temën “Kosova 25 vite pas çlirimit: Progresi demokratik dhe një ekonomi në rritje – dhe rritja e kërcënimit të Rusisë dhe Serbisë”.

 Përgjatë fjalës së tij, kryeministri reflektoi mbi ndryshimet që ka njohur vendi ynë dhe jetën 25 vite pas çlirimit të vendit. Theksoi dy këndvështrime për Kosovën: si një qytetar që ka analizuar dhe kritikuar qeverinë, dhe tjetra nga pozita e dikujt në qeveri.

“Nga të dyja këndvështrimet, mund të them se ky është një vend që vlerëson lirinë për të ndërtuar një shoqëri demokratike të bazuar në sundimin e ligjit”, tha kryeministri, duke shtuar rëndësinë e historisë, aleatëve tanë kryesorë dhe kohezionit demokratik.

 “Rritja, veçanërisht gjatë tri viteve e gjysmë të fundit në qeverisjen tonë, është arritur në përputhje me vlerat demokratike. Një nga pikat më të forta të vendit tonë është koherenca ndërmjet politikës sonë të jashtme dhe asaj të brendshme. Ne jemi në thelb një aleat i demokracive liberale. Kjo do të thotë se ne i bashkohemi sanksioneve kundër Rusisë, duke investuar gjithashtu në reformat e energjisë së ripërtëritshme brenda vendit. Kjo e bën partneritetin tonë me aleatët tanë autentik dhe formëson çdo aspekt të qeverisjes sonë”, u shpreh kryeministri Kurti.

 Ai shtoi se koherenca midis vlerave dhe veprimit, si brenda ashtu edhe në politikat e jashtme, ka çuar drejt stabilitetit institucional që i nevojitet vendit tonë, ku rendi liberal demokratik me një qeveri socialdemokrate, është ajo që ne besojmë dhe njerëzit duan më shumë.

 Kryeministri Kurti tha se e ardhmja e vendit tonë kërkon që të jemi optimistë dhe vigjilentë dhe se sukseset e Kosovës janë shenja të një të ardhmeje të ndritur.

“Ndërsa vazhdojmë me reformat dhe punojmë drejt integrimit të plotë në NATO dhe Bashkimin Evropian, rruga jonë është e qartë: të qëndrojmë të palëkundur në vlerat tona, të punojmë shumë, drejt inovacionit dhe prosperitetit. Dhe kjo është arsyeja pse Kosova është një histori kaq e suksesshme. Është një shembull i qartë i një mesazhi të thjeshtë por të fuqishëm: se demokracia mund të lulëzojë, pavarësisht nga të gjitha sfidat, kërcënimet dhe pasiguritë. Shpresa dhe forca e popullit është fitorja më e madhe dhe më e qëndrueshme”, përfundoi kryeministri Kurti.