Kurti: Afrim Bunjaku lartësoi shtetin e Kosovës edhe për popullin e Kosovës, por edhe për opinionin publik ndërkombëtar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar sot familjen e rreshterit Afrim Bunjaku i cili humbi jetën një vit më parë në sulmin e terroristëve serb në Banjskë. Ai përmes një postimi në Facebook, ka ngritur lart veprën e Afrim Bunjakut e që sipas tij ky i fundit lartësoi shtetin e Kosovës edhe për popullin…

Lajme

24/09/2024 12:02

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar sot familjen e rreshterit Afrim Bunjaku i cili humbi jetën një vit më parë në sulmin e terroristëve serb në Banjskë.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka ngritur lart veprën e Afrim Bunjakut e që sipas tij ky i fundit lartësoi shtetin e Kosovës edhe për popullin e Kosovës, por edhe për opinionin publik ndërkombëtar.

“Rënia e Afrim Bunjakut është dëshmi që Kosova edhe i del zot vetes edhe ngadhënjen në çdo betejë. Sot që po flasim, Kosova nuk ka burime të brendshme që e cenojnë sigurinë apo stabilitetin e të cilat ne nuk arrijmë t’i kontrollojmë apo menaxhojmë. Anembanë Kosovës në çdo cep është shteti i Kosovës, shteti i Republikës demokratike dhe të pavarur të Kosovës, të cilës i shërbejnë me nder dhe me përkushtim. Numri i policëve me kadetë të rinj po rritet, morali i policisë sonë, edhe i ushtrisë tonë, kurrë s’ka qenë më i lartë. Andaj kjo sakrificë, ky flijim i rreshterit të policisë, heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku ia ka vlejtur fort për policinë, për shtetin dhe për gjeneratat e ardhshme”, ka shkruar Kurti. 
Ai ka thënë se këto forca ishin të dirigjuara nga Serbia dhe ajo duhet të jep përgjegjësi për këtë, shkruan lajmi.net.
“Forcat të cilat ishin të financuara e të dirigjuara nga Serbia me paramilitarë të cilët kishin shumë më tepër armatim sesa Afrim Bunjaku me shokë, ikën me turp, i lanë të vrarët e të plagosurit e tyre dhe sot fshihen nëpër Serbi, sepse e dinë që e kanë humbur betejën njëherë e përgjithmonë me shtetin tonë dhe popullin tonë liridashës. Me këtë rast duhet theksuar që Serbia është përgjegjëse andaj Serbia duhet të japë përgjegjësi, e në këtë pikë ne kërkojmë mbështetjen, ndihmën, përkrahjen, e faktorëve ndërkombëtarë”, ka shkruar Kurti. 
Kurti ka njoftuar se sot në Banjskë të Zveçanit është vendosur tabela në të cilën shkruan rruga Afrim Bunjaku. /Lajmi.net/ 
Postimi i tij i plotë në Facebook: