AGK: 38 sulme ndaj gazetarëve që nga janari i këtij viti

Që nga janari e deri në shtator të këtij viti janë regjistruar 38 sulme ndaj gazetarëve. Ndërsa, viti 2023 nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës po cilësohet si viti me më së shumti sulme ndaj gazetarëve me 74 të tilla. Gjatë prezantimit të raportit vjetor “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së…

Lajme

23/09/2024 16:39

Që nga janari e deri në shtator të këtij viti janë regjistruar 38 sulme ndaj gazetarëve. Ndërsa, viti 2023 nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës po cilësohet si viti me më së shumti sulme ndaj gazetarëve me 74 të tilla.

Gjatë prezantimit të raportit vjetor “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve dhe Indeksin e Sigurisë së Gazetarëve në Ballkanin Perëndimor, drejtoresha ekzekutive e AGK-së e hulumtuesja, Getoarbë Mulliqi ka thënë se një sfidë tjetër ndaj gazetarëve ka qenë edhe ngacmimi i shpeshtë seksual.

“Krahasuar me vitin 2022 ku janë raportuar gjithsej 33 raste, numri i sulmeve ndaj gazetarëve është rritur për 41, duke e bërë vitin 2023 vitin me numrin më të lartë të shkeljeve të lirisë së medias dhe sulmeve në drejtim të gazetarëve. Gazetarët që raportuan nga komunat veriore, janë përballur me kërcënime për jetën, sulme verbale dhe fizike, si dhe me dëmtim të pronave personale dhe profesionale…Për më tepër, emërimi i drejtorit të kanalit të parë të transmetuesit publik në Kosovë u konsiderua gjithashtu politik për shkak të lidhjes së Gërvallës me partinë në pushtet… Një nga sfidat e identifikuara përgjatë vitit 2023 kanë qenë edhe ngacmimet e shpeshta seksuale…. Deri më tani për vitin 2024 kemi 38 sulme në drejtim të gazetarëve”, ka thënë Mulliqi.

Ndërsa, eksperti ligjorë, Ylli Zekaj ka shtuar se edhe pse AGK ka pasur takime të vazhdueshme me Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial, ende nuk ka ndarje të lëndëve sipas profesionit, e kjo sipas tij, po i dëmton gazetarët.

“Edhe pse AGK ka pasur takime të vazhdueshme me Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial nuk ka ndarje të lëndëve sipas profesionit. Ne sot në sistemin gjyqësor nuk mund të identifikojmë lëndë të cilat faktikisht i përkasin gazetarëve, çoftë kur ata janë të sulmuar viktima të veprave penale apo kur ata janë të paditur apo paditës në procedura civile”, ka shtuar ai.

Po ashtu, hetuesja Leonita Morina ka theksuar se njëra nga pengesat kryesore që gazetarët hasin gjatë punës së tyre janë edhe paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike.

Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta ndaj padive slap, AGK ka krijuar një data bazë në të cilën janë mbi 35 raste.

“Njëra nga pengesat kryesore që gazetarët hasin gjatë ushtrimit të këtyre të drejtave janë paditë slap apo paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike. Paditë slap janë padi të pabaza që zakonisht ushtrohen nga njerëz të fuqishëm, figura publike, politikanë apo biznesmen kundër gazetarëve, e për qullim kanë intimidimin apo frikësimin e gazetarëve. Ne nuk kemi të dhëna të sakta se sa padi slap janë kundrejt gazetarëve, mirëpo në data bazën e krijuar nga AGK janë diku mbi 35 raste, vetëm KALLXO ka më shumë se 13 padi”, ka theksuar ajo.

Përveç sulmeve e kërcënimeve, sfidë tjetër e gazetarëve janë edhe kontratat e pagat e ulëta.