Votohet buxheti për 2025 në Mitrovicë të Jugut, Hamza: Do të ketë shumë projekte të rëndësishme dhe me ndikim në jetën e qytetarëve

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza ka njoftuar se është votuar buxheti për vitin 2025 në këtë komunë. Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se ky buxhet do të ndihmojë në realizimin e disa projekteve të rëndësishme. Hamza ka falënderuar asamblistët e të gjitha subjekteve politike në Kuvendin e Mitrovicës…

Lajme

23/09/2024 16:27

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza ka njoftuar se është votuar buxheti për vitin 2025 në këtë komunë.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se ky buxhet do të ndihmojë në realizimin e disa projekteve të rëndësishme.

Hamza ka falënderuar asamblistët e të gjitha subjekteve politike në Kuvendin e Mitrovicës së Jugut për votimin e këtij buxheti, shkruan lajmi.net.

“I lumtur që u votua Buxheti i Mitrovicës së Jugut për vitin 2025 dhe që me votat e asamblistëve u krijuan mundësitë e hapjes së rrugës “Ali Zeneli”, ku jetojnë qindra familje, të cilën asnjë qeverisje lokale nuk kishte mundur ta hapte në këto dy dekada për shkak të vështirësive që janë të njohura për të gjithë mitrovicasit. Hapja e kësaj rruge do ta shkarkojë jashtëzakonisht shumë komunikacionin dhe do të hapë perspektivë të re ekonomike për banorët e kësaj zone. Dhe, po ashtu, perspektivë të re do të hapin edhe shumë projekte të rëndësishme dhe me ndikim të madh në përmirësimin e jetës së qytetarëve që do të realizohen me buxhetin e miratuar për vitin e ardhshëm. I falënderoj asamblistët e të gjitha subjekteve politike në Kuvendin e Mitrovicës së Jugut për vendimmarrjen e përgjegjshme në të mirë të qytetarëve dhe komunës sonë. Me punë e përkushtim, duke i kuptuar drejtë brengat e qytetarëve, ne po e përmbushim synimin tonë për ndryshimin e Mitrovicës!”, ka shkruar Hamza. /Lajmi.net/