Zgjedhje në Gjermani, partia e Scholzit kërkon të ndalë ekstremistët e djathtë në Bradenburg

Zgjedhje shtetërore po mbahen në Brandenburg të Gjermanisë më 22 shtator, tri javë pas një rritjeje të partisë së ekstremit të djathtë në dy shtete të tjera në pjesën lindore të Gjermanisë. Rreth 2.1 milion njerëz janë të regjistruar për të votuar për një parlament të ri shtetëror në Brandenburg, shtetin që përfshin kryeqytetin gjerman,…

Bota

22/09/2024 12:00

Zgjedhje shtetërore po mbahen në Brandenburg të Gjermanisë më 22 shtator, tri javë pas një rritjeje të partisë së ekstremit të djathtë në dy shtete të tjera në pjesën lindore të Gjermanisë.

Rreth 2.1 milion njerëz janë të regjistruar për të votuar për një parlament të ri shtetëror në Brandenburg, shtetin që përfshin kryeqytetin gjerman, Berlinin.

Zgjedhjet e së dielës po vëzhgohen me kujdes për shkak të asaj që mung të tregojnë në lidhje me drejtimin politik të Gjermanisë.

Anketat e fundit tregojnë se Partia Alternativa për Gjermaninë (AfD) është në garë të ngushtë me Social Demokratët, partinë që ka qeverisur Brandenburgun pandërprerë që nga ribashkimi i Gjermanisë në vitin 1990.

Social Demokratët, partia më e madhe në qeverinë e kancelarit Olaf Scholz, shpresojnë të mbajnë kontrollin mbi bastionin e tyre përballë rritjes së mbështetjes për partitë të ekstremit të djathtë dhe të majtë.

Nëse Social Demokratët humbin në Brandenburg, kjo do të shihej si një shenjë e keqe për Scholzin një vit para zgjedhjeve federale që do të mbahen më 28 shtator 2025. Scholz jeton në Potsdam, kryeqytetin e Brandenburgut, dhe vëzhguesit politikë gjermanë besojnë se e ardhmja politike e kancelarit do të varet nga rezultatet e votës së së dielës në Brandenburg.

Fati i guvernatorit të Brandenburgut, Dietmar Woidke, gjithashtu është në rrezik. Ai e bëri qëllim të tij që Social Demokratët ta mposhtin Alternativën për Gjermaninë dhe zotoi se do të dorëhiqet nëse AfD-ja fiton.

“Nëse humbas ndaj AfD-së, unë do të largohem”, tha Woidke.

Alternativa për Gjermaninë fitoi më shumë vota në shtetin e Thuringisë dhe gjithashtu pati rezultate të mira në zgjedhjet në Saksoni më 1 Shtator.

Një parti e re e themeluar nga një figurë e njohur e majtë gjithashtu pati rezultate të mira, ndërsa partitë në qeverinë kombëtare të Scholzit shënuan rezultate shumë të dobëta.

Kjo ishte hera e parë që ekstremi i djathtë fitoi zgjedhje në Gjermani që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe kjo i dha një goditje të rëndë koalicionit qendror të Scholz. Ajo gjithashtu ngjalli shqetësime në Gjermani dhe jashtë saj për mbështetjen në rritje për ekstremin e djathtë në vendin më të madh të Bashkimit Evropian dhe anëtaren e NATO-s.

Partia e ekstremit të djathtë ka fituar mbështetje shkaku i pakënaqësive me migrimit masiv në Gjermani gjatë dekadës së kaluar. Ekonomia e Gjermanisë ka filluar të dobësohet, duke shtuar ndjenjën e përgjithshme të pakënaqësisë.

Vota e së dielës vjen pas një fushate zgjedhore të nxehtë të përqendruar në çështjet e migrimit, sigurisë së brendshme dhe paqes. Si ekstremi i djathtë ashtu edhe lëvizja e re e majtë, Aleanca Sahra Wagenknecht, ose BSW, dëshirojnë të ndalojnë dërgesat e armëve në Kiev ndërsa Ukraina përpiqet ta mbrojë veten nga pushtimi i plotë i Rusisë.

Madje edhe nëse Alternativa për Gjermaninë fiton në Brandenburg, ajo ka pak gjasa të qeverisë pasi partitë e tjera refuzojnë të punojnë me të. /REL