Dizajneri thotë se logoja e sapomiratuar e Kuvendit është e kopjuar nga arabët

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka miratuar logon e Kuvendit bazuar në përzgjedhjen e jurisë profesionale, njoftoi sot ky institucion. Duke shpjeguar konceptin e kësaj logoje, Kuvendi tha: Simboli i shtëpisë në logon e Kuvendit simbolizon ndërtesën kryesore të shtetit, Kuvendin, si institucioni më i lartë ligjvënës dhe përfaqësues i Republikës së Kosovës.…

Lajme

20/09/2024 17:53

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka miratuar logon e Kuvendit bazuar në përzgjedhjen e jurisë profesionale, njoftoi sot ky institucion.

Duke shpjeguar konceptin e kësaj logoje, Kuvendi tha: Simboli i shtëpisë në logon e Kuvendit simbolizon ndërtesën kryesore të shtetit, Kuvendin, si institucioni më i lartë ligjvënës dhe përfaqësues i Republikës së Kosovës.

Pjesa e poshtme e logos simbolizon rreshtat e ulëseve të deputetëve në Kuvendin e Kosovës, ndërsa vija e mesme në pjesën e sipërme të simbolit paraqet ulësen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit. Vijat anash, po ashtu në pjesën e sipërme, simbolizojnë ulëset e anëtarëve të qeverisë. Me bashkimin e të gjitha pjesëve, simboli pasqyron në mes hartën e Republikës së Kosovës, që, së bashku me yjet, simbolizon flamurin e Kosovës.

Por kjo logo del të jetë thuajse e njëjtë me një logo të një kompanie planifikuese ekspozitash në Riad të Arabisë Saudite.

Këtë e nxori në pah një dizajner i komunikimit, Agi Haxhimurati, i cili ironizoi mbi autenticitetin e kësaj logoje.

“Po cuditen arabet sa “autentike” logo e re e Kuvendit te Kosoves! Kosova dhe storiet qe perseriten!”, shkroi ai.

Sipas Rregullores së Kuvendit, logoja vendoset në hapësirat e Kuvendit, në zyrat e deputetëve, në dokumente e akte të brendshme, në komunikimet e deputetit me palët e treta, në botime e publikime ose në aktivitete, të cilat organizohen nga Kuvendi.