Nxënësit e komunitetit boshnjak pre e lajmeve të rreme, mësojnë si të mbrohen nga to
Konvertimi i presidentes Vjosa Osmani në fenë katolike dhe rimbursimi i faturës së energjisë elektrike dhe mbajtja e kurseve online falas nga ministritë në Kosovë dhe ofrimi i mundësive direkte për punësim, janë disa nga lajmet e rreme që nxënësit nga komuniteti boshnjak në Prizren kanë lexuar kohëve të fundit. Trendi në rritje i qarkullimit…
Lajme
Konvertimi i presidentes Vjosa Osmani në fenë katolike dhe rimbursimi i faturës së energjisë elektrike dhe mbajtja e kurseve online falas nga ministritë në Kosovë dhe ofrimi i mundësive direkte për punësim, janë disa nga lajmet e rreme që nxënësit nga komuniteti boshnjak në Prizren kanë lexuar kohëve të fundit.
Trendi në rritje i qarkullimit të përmbajtjeve të pavërteta nëpër media vlerësohet se po shton nevojën për mbajtjen e trajnimeve lidhur me Edukimin Mediatik.
Nxënësit e komunitetit boshnjak në Gjimnazin “Gjon Buzuku” dhe Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Luciano Motroni” në Prizren, në kuadër të projektit “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për komunitetet jo-shumicë në Kosovë”, mësuan si të dallojnë lajmet e rreme, dezinformatën, propagandën, përmbajtjen deep fake dhe mënyrën si të mos bien pre e tyre.
Nxënësi Haris Brenoli tha se gjatë trajnimit mori informacione se si të mbrohen nga lajmet e rreme dhe ndikimi i tyre. Ai potencoi se një ndër lajmet e pavërteta që ka lexuar kohë të fundit është konvertimi në fenë katolike i presidentes Osmani.
Brenoli: Një lajm fake që e kam lexuar se presidentja është konvertuar në katolike
“Ky trajnim më ka bërë përshtypje shumë, sepse para se të merrja pjesë në këtë trajnim nuk e kam ditur që ka pasur këso gjëra fals në lajme të ndryshme. Kjo më ka pëlqyer shumë dhe kam dëshirë të vij prapë në kësi lloj trajnimesh në të ardhmen. Do të mbaj më shumë mendime kritike për këso gjëra (lajmet e rreme). Një lajm fake që e kam lexuar kohëve të fundit ka qenë që presidentja Osmani është shndërruar (konvertuar) në katolike, por kjo ishte fals, nuk ishte e vërtetë”, tha Brenoli.
Po ashtu edhe nxënësja Lejla Dalje tha se ndër lajmet e pavërteta dhe mashtrimet në të cilat ka hasur në rrjete sociale kanë qenë ato për rimbursimin e mjeteve të faturës së energjisë elektrike dhe organizimi i kurseve falas me mundësi punësimi.
Dalje: Ka shumë lajme të rreme për kurse falas dhe faturat e energjisë elektrike
“Mendoj se përshtypja më e madhe që mora nga ky trajnim ishte se sa interesant ishte, edhe prezantuesi dhe të gjithë, ishte një temë shumë interesante, dhe gjithashtu mendova se gjërat që duhej të bënim kur mendonim, dhe mendimi kritik që duhej të bënim dhe lloji i problemeve që duhej të zgjidhnim, dhe gjithashtu fotografitë që shikonim ishin vërtet interesante, dhe më dhanë gjithashtu një këndvështrim të ri mbi edukimin mediatik. 04:22 Pra, shpesh, ka shumë lajme të rreme për kurset falas në internet ose për pagesën e faturave të energjisë elektrike, të cilat janë të rreme, dhe kështu duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përdorim aftësitë tona të të menduarit kritik dhe të shohim se çfarë është në të vërtetë e vërtetë”, tha Dalje.
Mbajtjen e trajnimeve të tilla si të domosdoshme për të rriturit dhe nxënësit e komunitetit jo shumicë e potencon edhe zyrtari i lartë i arsimit për komunitetin turk në komunën e Prizrenit, Ferdi Kovaç. Ai tha se trajnimi i sotëm u ndihmoi atyre të kuptojnë rrezikun nëse bien pre lajmeve të rreme.
Kovaç: Kemi nevojë të rriturit dhe nxënësit për këto lloje trajnimesh
“Kemi nevojë edhe të rriturit edhe nxënësit të kemi këto lloj trajnime më shpesh që të marrim informata çka po përdorim dhe çka po ndodh. Trajnimet e mëhershme që kemi pasur për përdorimin e mediave sociale ndryshe dalin lajmet po ndryshe e ka kuptimin. Sot e kemi verifikuar që është vërtet ashtu”, tha Kovaç.
Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për komunitetet jo-shumicë në Kosovë”, mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, ka filluar rreth tre vjet më parë.
Ky projekt ka përfshirë trajnime për nxënësit e komuniteteve jo-shumicë në shumicën e qyteteve të Kosovës.
Qëllimi i tij është që të rinjtë e këtyre komuniteteve të mësojnë të dallojnë përmbajtjet e rreme nga ato të vërtetat. Po ashtu, përmes ushtrimeve dhe tematikave të trajtuara gjatë trajnimeve, synohet të zhvillohet mendimi kritik i pjesëmarrësve.