MPJD hap konkurs për 25 diplomatë të rinj

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka hapur konkurs për 25 diplomatë të rinj. . Për këtë ka njoftuar ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz. Sipas Gërvallës, në këtë pozitë mund të aplikojnë të gjithë ata që kanë përfunduar studimet universitare në shkenca politike, juridike, marrëdhënie ndërkombëtare, politika të sigurisë,…

Lajme

19/09/2024 10:54

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka hapur konkurs për 25 diplomatë të rinj. .

Për këtë ka njoftuar ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz.

Sipas Gërvallës, në këtë pozitë mund të aplikojnë të gjithë ata që kanë përfunduar studimet universitare në shkenca politike, juridike, marrëdhënie ndërkombëtare, politika të sigurisë, studime evropiane, ekonomi, diplomaci (ekonomike, publike dhe kulturore), administratë publike, si dhe në degët e Fakultetit të Filologjisë dhe të Fakultetit të Filozofisë.

“Përfaqësimi i denjë i Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ofrimi i shërbimeve cilësore konsullore për qytetarët tanë jashtë vendit arrihet vetëm përmes rritjes së theksuar të cilësisë dhe profesionalizmit të diplomatëve që shërbejnë në MPJD dhe në misionet diplomatike të Kosovës. Përmbyllja e reformave të thella në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka krijuar tashmë mundësi të reja për angazhimin e një brezi të ri diplomatësh, të kualifikuar dhe profesional. Ju inkurajoj të aplikoni, duke ju siguruar se procesi i përzgjedhjes së diplomatëve të rinj do të jetë i ndershëm, kërkues dhe sfidues, dhe i bazuar vetëm në parimin e meritokracisë. Kosova ka nevojë për përfaqësuesit më të përgatitur dhe të përkushtuar për të prezantuar vlerat e saj në botë”, ka shkruar Gërvalla. 
Aplikimi mund të bëhet deri më 3 tetor 2024.
Gërvalla njofton se të gjithë kandidatët që e kalojnë fazën e parë të përzgjedhjes do t’i nënshtrohen një trajnimi të mirëfilltë, jo vetëm në fushën e diplomacisë tradicionale, por edhe në qasjet bashkëkohore të saj. /Lajmi.net/
Konkursi është këtu