Dështoi votimi i buxhetit, Rama: PDK-ja e VV-ja po bojkotojnë vullnetin e qytetarëve

Kuvendi Komunal i Prishtinës dështoi të miratojë buxhetin për vitin 2025, për shkak të braktisjes së mbledhjes nga asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Me ç’rast, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i akuzoi këto parti për bojkotimin e vullnetit të qytetarëve. Përmes një reagimi në Facebook, Rama ka shkruar se buxheti i…

Lajme

18/09/2024 16:13

Kuvendi Komunal i Prishtinës dështoi të miratojë buxhetin për vitin 2025, për shkak të braktisjes së mbledhjes nga asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Me ç’rast, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i akuzoi këto parti për bojkotimin e vullnetit të qytetarëve.

Përmes një reagimi në Facebook, Rama ka shkruar se buxheti i vitit 2025 është i hartuar me profesionalizëm dhe në bazë të nevojave e kërkesave të qytetarëve.

“Sot mbajtëm seancën për miratimin e buxhetit të Kryeqytetit për vitin 2025. Buxheti nuk u miratua në mungesë të kuorumit për shkak të lëshimit të sallës nga asambleistët e PDK-së dhe më pas atyre të Vetëvendosjes. Buxheti i vitit 2025 është i hartuar me profesionalizëm dhe në bazë të nevojave e kërkesave të qytetarëve tanë. Prandaj, lëshimi i sallës në seancën e buxhetit nga PDK dhe VV është bojkotim i vullnetit të qytetarëve. Përkundër përpjekjeve të njëpasnjëshme për bllokim të punëve të mira në Kryeqytet ne nuk do të ndalemi së punuari për të mirën e të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka shkruar Rama në Facebook.

Gjatë mbledhjes të së mërkurës, Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk arriti të miratojë buxhetin për vitin 2025, për shkak të mungesës së kuorumit. Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) braktisën seancën, duke e bërë të pamundur përfundimin e votimit të buxhetit.