“Stuhia në kombëtare”, analistët: FFK me të drejtë i përjashtoi tre lojtarët
Dy ndeshjet e para të Kombëtares së Kosovës në Ligën e Kombeve, humbja nga Rumania dhe fitorja ndaj Qipros ranë nën hijen e skandalit që shpërtheu brenda grupit të futbollistëve e që solli edhe përjashtimin e tre yjeve, Edon Zhegrovës, Aro Moricit dhe Florent Muslijas. Vendimi i trajnerit Foda dhe i Federatës së Futbollit erdhi…
Sport
Dy ndeshjet e para të Kombëtares së Kosovës në Ligën e Kombeve, humbja nga Rumania dhe fitorja ndaj Qipros ranë nën hijen e skandalit që shpërtheu brenda grupit të futbollistëve e që solli edhe përjashtimin e tre yjeve, Edon Zhegrovës, Aro Moricit dhe Florent Muslijas.
Vendimi i trajnerit Foda dhe i Federatës së Futbollit erdhi pasi të tre lojtarët thyen rregulloren e trajnerit Foda duke u larguar nga grupi dhe duke qëndruar në lokale nate deri në orët e vona.
Një vendim i tillë, sipas analistit Alban Lumi, ishte i drejtë pasi ai konsideron se rregullat duhet zbatuar në përpikëri nga të gjithë lojtarët.
“Selektori Foda ka marrë mbështetjen e federatës së Futbollit të Kosovës, gjegjësisht të parit të saj që çdo vendim i tij të respektohet në përpikmëri, e vendimi i tij ishte që rregullat të mos thyhen nga asnjëri dhe pikërisht rregulla u thye nga tre lojtarët, Edon Zhegrova, Aro Muric dhe Florent Muslija. Këtu Kosova iu tregoi të gjithëve se ekipi kombëtar është mbi të gjithë dhe jo individët. Individët e krijojnë ekipin kombëtar, edhe Ronaldinho, Messi apo kushdo qoftë ai me cilësi, nëse nuk është në përpikëri duke i zbatuar rregullat atëherë duhet të merren masa sepse në fund të fundit të gjithë lojtarët që ftohen janë të barabartë”, tha Lumi.
Edhe më i ashpër në vlerësimin e tij është treguar trajneri Robert Gjeraj. Ai ka thënë se asnjë lojtarë nuk duhet të tolerohet kur bën veprime të tilla.
“Është dashur të izolohet pak rasti edhe pas ndeshjeve, pas ciklit prej dy ndeshjeve të merret një vendim, ose të përjashtohen ose dënohem sepse janë dënuar edhe janë dënuar lojtarë edhe më të mëdhenj si Benzema, Balotelli e shumë lojtarë të tjerë dhe normalisht që rregullat janë rregulla dhe kombëtarja është mbi të gjithë, pa marrë parasysh cili lojtar është, qoftë ai lojtari më i mirë i kombëtares apo më i dobëti…Nuk bën të tolerohet asnjë lojtar sepse nesër pasnesër vjen një lojtar tjetër dhe e bën të njëjtin veprim, atëherë bëhet si rrugë kjo punë që çdo vendim që vie për shkak të rregullave është i mirë”, ka theksuar Gjeraj.
Ndërsa, ‘shkelje të rëndë’ veprimin e tre yjeve të Kosovës e ka quajtur trajneri Gani Sejdiu.
“Rregullat janë rregulla edhe në këso rastesh e grumbullimesh duhet pasur kujdes për t’iu përshtatur rregullave sepse nëse nuk do të ishte kështu, atëherë krijohet një lloj kaosi dhe pastaj dalin gjërat nga kontrolli, kështu që unë pa e ditur në prapaskena çfarë ka ndodhur, por me vet faktin që ata kanë dal nga hoteli dhe i kanë parë që kanë qenë në ato ambiente që nuk është dashur të jenë, ajo është një shkelje e rëndë e rregullave e cila pastaj duhet të sanksionohet, nuk diskutohet”, deklaroi Sejdiu.
Ndryshe, për fatin e tre lojtarëve, FFK ka bërë të ditur se përfundimisht do të vendos komiteti ekzekutiv i federatës, derisa Kosova rrugëtimin në Ligën e Kombeve do ta vazhdojë në muajin tetor me dy ndeshjet e radhës kundër Lituanisë në udhëtim dhe Qipros në Prishtinë.