BQK nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Bankën Popullore të RMV-së

Banka Qendrore e Kosovës dhe Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, i cili ka për qëllim bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe aktivitete të koordinuara ndërmjet dy bankave qendrore duke kontribuar në stabilitetin dhe rritjen ekonomike rajonale. Nënshkrimi i memorandumit është bërë gjatë vizitës dyditore të delegacionit të Bankës Popullore…

Lajme

13/09/2024 18:12

Banka Qendrore e Kosovës dhe Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, i cili ka për qëllim bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe aktivitete të koordinuara ndërmjet dy bankave qendrore duke kontribuar në stabilitetin dhe rritjen ekonomike rajonale.

Nënshkrimi i memorandumit është bërë gjatë vizitës dyditore të delegacionit të Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut në vendin tonë.

Qëllim i kësaj vizite ishte zgjerimi i bashkëpunimit ndërmjet dy bankave qendrore në fusha të rëndësishme, duke përfshirë mbikëqyrjen financiare, stabilitetin financiar dhe kornizën makroprudenciale, sistemet e pagesave duke përfshirë integrimin në SEPA, mbrojtjen e konsumatorit dhe edukimin financiar.

Guvernatori i BQK-së Ahmet Ismaili dhe homologia e tij Angelovska- Bezhoska, patën një diskutim gjithëpërfshirës për zhvillimet aktuale, me theks tek objektivat dhe planet strategjike, si dhe perspektivën e ardhshme.

Gjithashtu, takimi kishte qëllim bashkëpunimin në funksion të shkëmbimit të njohurive dhe përvojave që kontribuojnë në stabilitetin dhe qëndrueshmërinë financiare.

Në diskutimet dhe prezantimet nga BQK-ja dhe BPRMV-ja trajtuan zhvillimet e fundit për sektorin financiar me theks të veçantë në institucionet bankare, institucionet e sigurimeve, institucionet mikro-financiare dhe institucionet financiare jo-bankare, duke u fokusuar në instrumentet rregullatore të nevojshme për forcimin e shëndetit financiar dhe qeverisjes sektoriale.

Gjithashtu u trajtuan avancimet në kornizën dhe instrumentet makroprudenciale, duke përfshirë praktikat aktuale dhe ndikimin e instrumenteve të ndryshme makroprudenciale që përdoren nga të dyja bankat qendrore.

Po ashtu, takimet trajtuan avancimet në fushën e sistemit të pagesave, me fokus integrimin në SEPA dhe zbatimin e pagesave të shpejta.

Në takime u diskutua edhe mbi përmirësimin e transaksioneve ndërkufitare dhe shfrytëzimin e inovacioneve në teknologji për efikasitet më të madh rajonal, duke përfshirë aktivitetet e përbashkëta hulumtuese, thuhet në komunikatë.