Ademi: Kosova favorite në grupin e Ligës së Kombeve, nuk më ka pëlqyer bashkëpunimi i FSHF-së me Serbinë

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka thënë se Kosova është kombëtarja favorite në grupin e Ligës së Kombeve që nis në muajin shtator.   Rivalët e “Dardanëve” janë Qipro, Lituania dhe Rumania, por Ademi ka thënë se përgatitjet e duhura dhe forma e mirë e lojtarëve të Kosovës nëpër klubet e…

Sport

24/08/2024 12:10

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka thënë se Kosova është kombëtarja favorite në grupin e Ligës së Kombeve që nis në muajin shtator.

 

Rivalët e “Dardanëve” janë Qipro, Lituania dhe Rumania, por Ademi ka thënë se përgatitjet e duhura dhe forma e mirë e lojtarëve të Kosovës nëpër klubet e tyre tregojnë se Kosova është një hapa para rivalëve të grupit.

 

Ademi: Jemi favorit në grupin e Ligës së Kombeve

 

“Nëse i shohim përgatitjet e tashme dhe formën e futbollistëve tanë, me trajnerin e ri Foda, me prurjet e reja sigurisht që jemi më të fortë dhe do të jemi më të fortë. Synimi ynë është, prapë se prapë tashmë nuk mund të flasim për zhvillim dhe nuk ka duhet zhvillim për ekipin kombëtar sepse dihet çfarë lojtarë kemi, ku luajnë në cilat liga dhe mendoj që tani ne na duhet kualifikimi dhe gjithmonë synim e kemi kualifikimin dhe sigurisht që do të shkojmë prapë për kualifikim sepse mendoj që edhe në këtë grup që e kemi prapë e mendoj unë dhe janë të gjitha analizat që ne jemi ekipi favorit”, theksoi më tutje Ademi.

 

Madje, i pari i FFK-së konsideron se zhvillimi i futbollit në Kosovë është në rrugën e duhur dhe premton se brenda dy viteve këtij sporti nuk do t’i mungojë asgjë, e as infrastruktura.

 

Ademi: Brenda dy viteve, Kosova do të jetë e kompletuar me infrastrukturë të futbollit

 

“Ne po i bëjmë të gjitha paradispozitat për të qenë një prej federatave më moderne dhe si federatë e vogël që jemi e kemi edhe shumë më të lehtë çështjen e infrastrukturës ta bëjmë dhe mendoj që futbolli i Kosovës edhe rreth dy viteve do t’i heq mund të them të gjitha dilemat për futbollin dhe do t’i ketë mjetet e nevojshme dhe resurset e nevojshme për t’u zhvilluar deri në maksimum sepse e ka edukimin, infrastrukturën bazike, projektet dhe programet e tilla…Mund të them lirisht që për dy vite Kosova do t’i ketë edhe stadiumet në të gjitha nivelet që nuk do të diskutohet më kjo pjesa e kemi apo nuk e kemi atë”, shtoi Ademi.

 

Në vazhdën e infrastrukturës, Kosovë vazhdon t’i mungojë një stadium kombëtar, por Ademi thotë se lokacioni tashmë mund të jetë caktuar, por për këtë çështje, ai ka thënë për KosovaPress, se duhet të flasë Ministria e Sportit.

 

Ademi: Mendoj që lokacioni i stadiumit kombëtar është caktuar, por është çështje e MKRS-së

 

“Nuk kam më shumë njoftime se sa ju që e keni këtë, por uroj që të bëhet sa më shpejtë, ku do që të bëhet, vetëm le të bëhet. Unë mendoj që është i caktuar vendi ose lista, është çështje e ministrisë, por kur ata të na thirrini nëse iu duhemi diçka në aspektin e futbollit, sigurisht që jemi të gatshëm për të bashkëpunuar”, theksoi Ademi.

 

Pak muaj më parë, bujë të madhe bëri lajmi i bashkëpunimit të Federatës së Futbollit të Shqipërisë me atë të Serbisë për organizimin e Kampionatit Evropian Euro 2027 për U21, por Ademi ka pranuar se ky lajm nuk i ka pëlqyer aspak, por që është vendim i FSHF-së.

 

Ademi: Nuk ma ka pëlqyer kandidatura e përbashkët e Shqipërisë dhe Serbisë për Euro 2027 për U21

 

“A më ka pëlqyer? Ok, e kam thënë dhe nuk më ka pëlqyer. Është çështje e federatës së tyre që i ka politikat e veta, madje Duka është edhe i UEFA-së edhe sigurisht që i din ai arsyet pse. Realisht në Kosovë nuk ka mundur të bëhet sepse nuk i kemi ato stadiume, nëse themi që do t’i bënim deri në atë vit, nuk mund të themi sepse kur të konkurrosh duhet t’i kesh asetet dhe resurset gati…Kosova hyn në ato gara gjithsesi, por atë duhet ta mendoj UEFA sepse nuk ka faj Kosova a do apo nuk do Serbia, ne i dimë raportet që i kem. Kosova dihet që e kemi me shkrim që nuk luajmë me Serbinë dhe me disa shtete të tjera”, deklaroi Ademi.

 

I pari i FFK-së në fund bëri të ditur se në muajin mars të vitit të ardhshëm në Kosovë do të mbahet një prej ngjarjeve më të mëdha të UEFA-së në Kosovë që është Komiteti i Hat-trick-ut, komitet i cili është i një rëndësie të veçantë që mbledh rreth 70 përfaqësues të UEFA-së dhe do të jetë mundësi e mirë për të shfaqur imazhin e futbollit të Kosovës, por edhe mundësi për përfitimin e projekteve të reja për futbollin e Kosovës.