Shqipëria fiton dhe medaljen e dytë në Olimpiadë
Islam Dudaev ka arritur t’i sjellë Shqipërisë një tjetër medalje në Lojërat Olimpike, duke fituar medaljen e bronztë në stilin e lirë të mundjes në peshën deri -65 kilogram. Pas tërheqjes së kundërshtarit amerikan, Dudaev u vu përballë hungarezit Iszmail Muszukajev, i cili ka dalë i pesti në këtë peshë në ‘Tokio 2020’, ndërsa ishte…
Sport
Islam Dudaev ka arritur t’i sjellë Shqipërisë një tjetër medalje në Lojërat Olimpike, duke fituar medaljen e bronztë në stilin e lirë të mundjes në peshën deri -65 kilogram.
Pas tërheqjes së kundërshtarit amerikan, Dudaev u vu përballë hungarezit Iszmail Muszukajev, i cili ka dalë i pesti në këtë peshë në ‘Tokio 2020’, ndërsa ishte kampion bote në vitin 2023.
Dudaev e nisi mirë me dy kapje dhe hedhje, duke e çuar rezultatin menjëherë në 6-0. Më pas, rezultati kaloi në 8-4 pas një aksioni ku u desh përsëritja dhe aty hungarezi ngushtoi diferencën me dy pikë të tjera dhe raundi i parë u mbyll me shifrat 8-6 për mundësin e Shqipërisë.
Muszukajev u hodh në sulm por Dudaev u përgjigj shpejt me katër pikë radhazi duke siguruar avantazh të rëndësishëm për minutat e fundit.
Kundërshtari i tij u mundua të kthente fatin e ndeshjes, teksa barazoi 12-12, por një pikë e fundit e siguruar nga Dudaev i dha atij medaljen e bronztë, të dytën për Shqipërinë në këto Lojëra Olimpike, pas asaj që fitoi mbrëmë Chermen Valiev pikërisht në mundje.