Mungon avokati, dështon seanca fillestare ndaj inspektorit që akuzohet për korrupsion
Seanca fillestare ndaj të akuzuarit Mentor Beqiri, inspektor i ndërtimit në Komunën e Pejës, ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së mbrojtësit të tij, avokatit Granit Vokshi. Për shkak të angazhimit në një tjetër seancë dhe pamundësisë për t’u zëvendësuar, avokati Vokshi kishte njoftuar kryetaren e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj, duke kërkuar shtyrjen…
Lajme
Seanca fillestare ndaj të akuzuarit Mentor Beqiri, inspektor i ndërtimit në Komunën e Pejës, ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së mbrojtësit të tij, avokatit Granit Vokshi.
Për shkak të angazhimit në një tjetër seancë dhe pamundësisë për t’u zëvendësuar, avokati Vokshi kishte njoftuar kryetaren e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj, duke kërkuar shtyrjen e seancës së sotme për një datë tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për shkak të mungesës së kushteve ligjore, seanca u shty për 14 gusht 2024.
Në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Pejës, të ngritur më 17 prill 2024, i akuzuari Mentor Beqiri ngarkohet se nga 25 nëntori 2020 e në vazhdimësi deri më 3 tetor 2022, në objektin individual të banimit me afarizëm, me investitorin Bashkim Baloku, i cili ndodhet në rrugën “Lekë Dukagjini”, Komuna e Pejës, në cilësinë e inspektorit përgjegjës të ndërrimit pranë Drejtorisë për Inspektim – Sektori i Ndërtimit, me mosveprim dhe në kundërshtim me përshkrimin e detyrave të punës, dhe me qëllim përfitimi për personin tjetër, investitorin e lartpërmendur, nuk ka ndërmarrë veprimet që i përkojnë autorizimeve të tij ligjore.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Beqiri nuk kishte ekzekutuar vendimin e lëshuar nga ana e tij më 25 nëntor 2020, që obligonte investitorin të rrënonte shtyllat e katit të tretë, ku afati për heqjen apo rrënimin e mbindërtimit ishte i menjëhershëm. Po ashtu, nuk kishte ekzekutuar as vendimin e tij të datës 17 mars 2020, i cili obligonte investitorin të rrënonte objektin e ndërtuar në kundërshtim me lejen e legalizimit. Edhe pse afati shtatëditor ishte përcaktuar, investitori, përkundër vendimeve të lartpërmendura, ndërton dhe përfundon objektin në tërësi, fillimisht pa leje ndërtimi dhe më pas në kundërshtim edhe me vendimin për leje të legalizimit për përfundim të ndërtimit, duke tejkaluar vijën ndërtimore, që është në kundërshtim me planin rregullues “Puhuvc-Jarinë”. Ky objekt nga investitori funksionon si biznesi hostel “7 Arian’s” SH.P.K.
Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 par. 2, lidhur me par. 1 dhe nenin 77 të KPRK-së./Betimi për Drejtësi.