Pamje nga veriu i Mitrovicës- Vazhdon testimi i kamionëve mbi urën e Ibrit
Prej disa orësh është duke vazhduar testimi i kamionëve me pesha të rënda në urën e Ibrit në Mitrovicë. Testimi është duke u bërë nga kompania kontraktuese e Qeverisë së Kosovës. Në kuadër të këtij testimi tek Ura e Ibrit në Mitrovicë sot pati më tepër njerëz, më tepër automjete si dhe forca të shtuara…
Lajme
Prej disa orësh është duke vazhduar testimi i kamionëve me pesha të rënda në urën e Ibrit në Mitrovicë.
Testimi është duke u bërë nga kompania kontraktuese e Qeverisë së Kosovës.
Në kuadër të këtij testimi tek Ura e Ibrit në Mitrovicë sot pati më tepër njerëz, më tepër automjete si dhe forca të shtuara të Policisë së Kosovës dhe të KFOR-it.
Këta të fundit po përkujdesen që testimi të kryhet pa ndonjë incident.
Përderisa mbi urën e Ibrit po lëvizin kamionë të kontraktuar për testimin e stabilitetit, në Komunën e Mitrovicës së Veriut është duke u mbajtur një diskutim publik për përfitimet që do të sjellë hapja e kësaj ure.
Ndryshe ditë më parë nga Ministria e Infrastrukturës kanë bërë të ditur se ky proces i matjeve dhe testimeve mund të zgjasë nga tri deri në katër ditë.
Kompania e kontraktuar nga ministria përkatëse është e kontraktuar që të bëjë gjeometrinë e urës, testimin e shtyllave, të pllakave dhe themeleve.
Gjatë javëve të fundit ka patur diskutime të vazhdueshme në kuadër të mundësisë së hapjes për qarkullim të kësaj ure.
Ndryshe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e ka përzgjedhur kompaninë e cila sipas dosjes së tenderit është “IPE-PROING” SH.P.K . Kjo kompani do të bëjë “Përcaktimin e kapacitetit mbajtës të strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër në Mitrovicë , me ngarkesa testuese” .
Vlera e kësaj kontrate është 9 mijë e 640 euro.
Sipas dosjes së tenderit e publikuar në platformën online E-prokurimi janë përcaktuar edhe kriteret që duhet ti plotësoj kompania fituese.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Rohde tha se hapat e njëanshëm bien ndesh me marrëveshjet e arritura në dialog.
“Hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar jo vetëm që bien ndesh me marrëveshjet e dialogut, por edhe më keq, rrezikojnë që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të mbetet i mbërthyer në kuti (inbox)”, thotë mes tjerash ambasadori Rohde.
Në kundërshtim me aksionin e mbylljes së këtyre degëve të Postës së Serbisë janë deklaruar edhe nga Bashkimi Evropian si dhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas BE-së, një veprim i tillë shkel dialogun mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë dhe çështje tjera, që i përkasin procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese për serbët e Kosovës, pa një marrëveshje të arritur paraprakisht, do të ndikojë negativisht në përditshmërinë dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti”, ka thënë blloku evropian përmes një deklarate.
BE-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë këtë vendim dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar në kuadër të dialogut.
Blloku ka rikujtuar që në kuadër të marrëveshjeve të arritura për telekomunikacionin, më 2013 dhe 2015, dy palët janë pajtuar që për shërbimet postale të diskutohet “në një fazë të mëvonshme”, dhe kështu, sipas BE-së, është kuptuar që kjo çështje mund të adresohet vetëm përmes dialogut.
Qeveria amerikane ka thënë se është thellësisht e zhgënjyer me ato që i ka cilësuar veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës kundër degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës.
“Veprimet e pakoordinuara të Kosovës përballin shtetasit e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it me rrezik të madh, nxisin përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve rajonale, dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtare”, është thënë në reagimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë.
Kosova dhe Serbia dialogojnë për normalizim marrëdhëniesh, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar./Lajmi.net/