Gërvalla për rastin e Faton Hajrizit: Gjithçka çka ndodhi është mjegull, s’kemi garancë për informacionet

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka thënë se gjithçka çfarë ka ndodhur deri më tani në Serbi në lidhje me rastin e Faton Hajrizit është mjegull. Në një konferencë për media, Gërvalla ka thënë se ndonëse kanë marrë mostër të shenjave të gishtërinjve që pas verifikimit ka rezultuar se i përket Faton Hajrizit…

Lajme

24/07/2024 15:33

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka thënë se gjithçka çfarë ka ndodhur deri më tani në Serbi në lidhje me rastin e Faton Hajrizit është mjegull.

Në një konferencë për media, Gërvalla ka thënë se ndonëse kanë marrë mostër të shenjave të gishtërinjve që pas verifikimit ka rezultuar se i përket Faton Hajrizit ende nuk ka garancë se bëhet fjalë për personin e vrarë dhe për pretendimet e tjera nga Serbia.

“Bashkëpunimi është inekzistent në të gjitha fushat, kemi plasuar informacionet në kohë që kemi mundur të pajisemi gjatë kësaj kohe. Kemi pasur një mostër të shenjave të gishtërinjve të një personi i cili pas verifikimit është konstatuar të jetë qytetari i Kosovës, Faton Hajrizi mirëpo nuk kemi asnjë garancë që bëhet fjalë për personin e vrarë dhe për pretendimet e tjera. Deri më tani gjithcka cfarë ka ndodhur në Serbi është mjegull, nuk mund të themi qytetarëve që kemi informacione të sakta, mirëpo nuk fshehim asnjë prej informacioneve që kemi marrë”, ka deklaruar Gërvalla.

Faton Hajrizi, shtetas kosovar, ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës më 6 korrik.

Në orët e para të 18 korrikut, u bë i dyshuar për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri në orët e para në Lloznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë.

Një ditë më vonë, autoritetet serbe raportuan për vrasjen e tij.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës më 22 korrik bëri të ditur se kanë konfirmuar identitetin e Hajrizit nga shenjat e gishtërinjve të dërguara nga autoritetet serbe përmes Drejtorisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor (ILECU) në kuadër të Misionit të BE-së për sundim të ligjit në Kosovë. /Dukagjini