Rrahman Jasharaj paralajmëron se mund të ketë grevë në shtator, fajëson Qeverinë
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë vitin e kaluar kishte marrë vendim që pajisjen e nxënëseve me tekste shkollore ta bëjë nëpërmjet platformës e-Kosova, duke i subvencionuar financiarisht prindërit për blerjen e librave. Por, kjo metodë e furnizimit të nxënësve me libra shkollorë, përfshirë edhe vonesat e shkaktuara nga shtëpitë botuese, ishte kritikuar nga opozita…
Lajme
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë vitin e kaluar kishte marrë vendim që pajisjen e nxënëseve me tekste shkollore ta bëjë nëpërmjet platformës e-Kosova, duke i subvencionuar financiarisht prindërit për blerjen e librave.
Por, kjo metodë e furnizimit të nxënësve me libra shkollorë, përfshirë edhe vonesat e shkaktuara nga shtëpitë botuese, ishte kritikuar nga opozita dhe ekspertët e fushës.
Por kjo s’është sfida e vetme në Arsim gjatë kësaj kohe. Arsimi në Kosovë po përballet vazhdimisht me pakënaqësi herë nga prindërit për mos-kualitet të mësimdhënies nga mësuesit, e herë nga këta të fundit për mos-plotësim të kërkesave që ata kanë.
E në këtë mes për t’i përfaqësuar këto kërkesa është Rrahman Jasharaj nga SBASHK-u.
Ky i fundit i kontaktuar nga lajmi.net tha se mungesa e komunikimit me institucionet mund të qoj drejt kërkesave të anëtarësisë për grevë.
Sipas tij lëvizja e koeficientit nga 105 në 110, duke ua ndryshuar pagat vetëm për 28 euro është një vlerë ironike.
“Shtatori mund të na gjejë edhe me kërkesa të anëtarësisë për grevë nga shkaku se janë tepër të pakënaqur edhe ndihen tepër të indinjuar me pagën që e kanë tani me lëvizjen shume të ulët ironike që ishte me vlerën e koeficientit nga 105 në 110 që nuk kishte ndonjë ndryshim përveç 28 eurove”, ka thënë Jasharaj.
Jasharaj thotë se shpreson që greva e paralajmëruar të mos ndodhë, por fajëson Qeverinë Kurti teksa thotë se janë të përjashtuar nga dialogu si dhe ka qasje te gabuar ndaj dialogut dhe sindikatave.
Kërkesat specifike sipas Jasharajt mbeten përmirësimi i dukshëm i kushteve të punës, ngritja e koeficientit për 30%, paga dhe ligji për sigurime shëndetësore.
Sipas tij Kosova është i vetmi vend në rajon me pagat më të ulëta.
“Pagat tani janë më të ulëta në rajon. Dikur krenoheshim më shumë me pagat që kishim tani fatkeqësisht po them duke u nisur edhe nga statistikat e vendeve të rajonit e kam fjalën për Maqedoni e Veriut, Mali i zi dhe këto vendet tjera që na rrethojnë ne kemi mbetur shume poshtë”, ka thënë Jasharaj.
Ndërkaq Jasharaj thotë se vendimi i Qeverisë së Shqipërisë për të rritur pagat e mësimdhënësve ishte një vendim i guximshëm.
“Qeveria e Shqipërisë mori vendim të guximshëm dhe i ngriti dukshëm pagat edhe në sistemin arsimor edhe në tjerat dhe ne jemi fqinj, jemi njerëz që komunikojmë me njëri-tjetrin edhe kjo ka ndiku shumë që të shtohet indinjata tek punëtorët e arsimit në Kosovë”, tha Jasharaj./Lajmi.net/