Auditimi për efikasitetin e gjykatave, vlerësohet ndërhyrje në drejtësi – KGJK e refuzon

Një raport i tillë auditimi, sikurse ky i vitit të kaluar që tregon për “efektivitetin e institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje”, synohej të bëhej sërish, por me një përfshirje më specifikime e vetëm për gjykatat. Zyra Kombëtare e Auditimit ka kërkuar që këtë vit të bëhet auditim për efikasitetin e trajtimit…

Lajme

08/07/2024 20:57

Një raport i tillë auditimi, sikurse ky i vitit të kaluar që tregon për “efektivitetin e institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje”, synohej të bëhej sërish, por me një përfshirje më specifikime e vetëm për gjykatat.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka kërkuar që këtë vit të bëhet auditim për efikasitetin e trajtimit të lëndëve civile nëpër Gjykata të Kosovës. Por, një gjë e tillë nuk është lejuar të realizohet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Në vendimin e KGJK-së, thuhet se ZKA-ja ka insistuar se ka legjitimitet për të kryer këtë lloj të auditimit, çka i ka shtyrë Këshillin që për çështjen të vendosin përmes votimit, e që të gjithë anëtarët kanë votuar për të refuzuar të njëjtën.

“….Me datën 04 qershor 2024 e gjendur në një situatë të paprecedent dhe këtë çështje e ka adresuar zyrtarisht për votim tek të gjithë anetarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës me kërkesë që të shqyrtojnë kërkesën dhe të deklarohen me shkrim nëse pajtohen apo jo që të lejohet auditimi. Lidhur me kërkesën për deklarim, anëtarët e KGJK-së theksuan se KGJK është autoriteti i vetëm Kushtetues dhe ligjor që ka kompetenca për administrimin e Gjyqësorit, përfshirë auditimin e performancës dhe efikasitetit për menaxhimin e lëndëve gjyqësore. Për më tepër KGJK vlerësoj se lejimi i qasjes së Zyrës Kombëtare të Auditimit në auditimin e lëndëve gjyqësore, paraqet shkelje flagrante të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve përkatëse, si dhe përbën tejkalim të autorizimeve dhe kompetencave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi,” thuhet në vendimin e KGJK-së.

Vendimi i KGJK-së, po vlerësohet i duhur derisa kritika për ZKA-në shprehin edhe në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

“Zyra Kombëtare e Auditimit nuk e ka mandat dhe nuk mundet që të bëjë efikasitetin e punës së Gjyqësorit sepse kjo dmth konsiderohet ndërhyrje ose tejkalim i autorizimeve dhe kompetencave të zyrës Kombëtare të Auditimit, nëse marrim për bazë raportet e avokatit të popullit pothuajse çdo vit ka raporte lidhur me atë se sa është efikas sistemi gjyqësor e publike në Kosovë,” ka thënë Ehat Miftaraj, drejtor në IKD.

Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala thotë se në të kaluarën ishin bërë auditime të tilla, porse kishin qenë kundërkushtetuese.

“Gjithmonë ka qenë në kundërshtim, por ne e kemi toleruar e këta shumë mirë, që kjo të mos bëhet dukuri e keqe e të bëhet kontrolle nga ana e ZKA, kemi toleruar pjesërisht që edhe ti tregojmë opinionit që jemi në rregull, por kjo po shihet qartë që është një keqpërdorim i kompetencës, atëherë njëherë e përgjithmonë duhet të i thuhet stop,’ tha Shala.

Në lidhje me këtë kërkesë të tyre për KGJK-në,  përgjigje nuk kanë kthyer nga Zyra Kombëtare e Auditimit, derisa së fundmi kanë nisur publikimin e raporteve të auditimit në institucione publike.