Komuna e Malishevës kërkon të bëhet repilimi i kafshëve, vlerësohet se parandalon rastet e pickimit nga rriqrat

Mbi 800 është numri i personave në Malishevë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas pickimit nga rriqrat. Por ky numër i të trajtuarve me ethe hemoragjike po vlerësohet se do të mund të ishte më i ulët me ndihmën e institucioneve qendrore. Nga Komuna e Malishevës tregojnë se tash e disa vite mungon procesi i…

Lajme

07/07/2024 23:52

Mbi 800 është numri i personave në Malishevë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas pickimit nga rriqrat.

Por ky numër i të trajtuarve me ethe hemoragjike po vlerësohet se do të mund të ishte më i ulët me ndihmën e institucioneve qendrore.

Nga Komuna e Malishevës tregojnë se tash e disa vite mungon procesi i repelimit të kafshëve, që sipas tyre bëhej rregullisht vitet e kaluara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

“Në Këshillin ministror ka qenë Ministria e Shëndetësisë, AVUK-u, Ministria e Bujqësisë dhe Komuna e Malishevës, të cilat e kanë pasë secila nga një segment të vetin për kryerje. Pas pandemisë e këndej kemi mbetë pothuajse vetëm Komuna e Malishevës me atë buxhetin e limituar”, ka thënë Halit Mazreku, zyrtar në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Por nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thonë se nuk e kanë obligim ligjor kryerjen e një procesi të tillë.

Megjithatë, zëdhënësi Lamir Thaçi tregon se kjo nuk është bërë ende për shkak të disa procedurave të prokurimit.

“Në procedurë janë vonuar për shkak ankesave që janë dërguar në OSHP, tani jemi në fazën e fundit finale që është fazë 5 ditëshe e ankesave dhe në qoftë se nuk ka ankesa atëherë në javën tjetër mund të nënshkruhet kontrata por gjithmonë po flas nëse nuk ka ankesa. Nëse dorëzohet një ankesë sigurisht se do ta shtyjë përsëri afatin e nënshkrimit të kontratës”, ka thënë Thaçi.

Ndërkaq, drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare bën thirrje që të funksionalizohet këshilli ministror në mënyrë që të ketë më pak të prekur nga ky infektim.

“E di që e nevojshme dhe është shumë urgjente që të merret ky Këshill të funksionalizohet ky këshill apo të formohet një tjetër, varësisht prej situatës të cilën e shohin kompetentët. Por e nevojshme është repelimi i kafshëve, i nevojshëm është edhe dezinsektimi i të gjitha hapësirave publike”, ka thënë Afrim Krasniqi, drejtor në QKMF-në e Malishevës.

Repelimi është masë parandaluese e cila atakon rriqrat në vatrën e shumimit dhe zhvillimit kur ata jetojnë në trupin e kafshëve.