Qytetarët të rrezikuar nga fajdexhinjtë, brenda 24 orëve tri aksione policore kundër tyre

Vepra e rrezikshme e fajdes ka arritur që në Kosovë të zë vend në secilën komunë. Viktima të fajdes janë shumë qytetarë, disa prej tyre tashmë të zëshëm e shumë të tjerë të cilët vazhdojnë të kërcënohen e keqpërdoren nga të dyshuarit. Mijëra euro dëme, probleme psiqike, fizike e deri tek ato familjare shkaktohen zakonisht…

Lajme

21/06/2024 12:14

Vepra e rrezikshme e fajdes ka arritur që në Kosovë të zë vend në secilën komunë.

Viktima të fajdes janë shumë qytetarë, disa prej tyre tashmë të zëshëm e shumë të tjerë të cilët vazhdojnë të kërcënohen e keqpërdoren nga të dyshuarit.

Mijëra euro dëme, probleme psiqike, fizike e deri tek ato familjare shkaktohen zakonisht në rastet e fajdeve, ku të dyshuarit vazhdojnë “vetëm të pasurohen” duke shkatërruar viktimat e këtyre rasteve.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë kanë realizuar brenda 24 orëve tri aksione kundër fajdes.

Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës kanë arritur të arrestojnë disa të dyshuar në lokacione të ndryshme.

Si fillim mbrëmë një aksion policor u zhvillua në Pejë, meqë rast janë arrestuar tre persona të dyshimtë.

Po ashtu nën prangat e policisë kanë rënë edhe dy persona të dyshimtë për fajde, në aksionin e realizuar në Prishtinë.

“Si rezultat i angazhimeve të pandërprera dhe hetimeve intensive nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, të asistuar nga njësitet relevante policore, sot në rajonin e Pejës dhe Prishtinës është duke u realizuar një operacion i gjerë policor.Ky operacion policor, i cili po realizohet në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, deri më tani ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë të përfshirë në veprimtari kriminale të fajdeve”,u tha në njoftimin e mbrëmshëm.

Kurse sot Policia ka bërë të ditur se është realizuar një aksion tjetër në Gjilan.

Nga ky aksion janë arrestuar dy persona të dyshimtë, kurse njëri nga të dyshuarit kyç në këtë rast vazhdon të jetë në arrati.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda pas operacionit të suksesshëm të realizuar dje në rajonin e Pejës dhe Prishtinës, sot me datën 21.06.2024 ka vazhduar me aksionin e radhës në tri lokacione të ndryshme të rajonit të Gjilanit.Ky operacion policor u realizua pas ndërmarrjes së veprimeve operative hetimore në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar të përfshirë në veprat penale “Fajde dhe Detyrim”.Gjatë hetimit të këtij rasti janë arrestuar dy persona të dyshuar, një mbetet në kërkim policorë, si dhe janë gjetur prova se të dyshuarit dyshohet se kanë kryer veprat penale të fajdes dhe detyrimit për të cilat janë hetuar”.

Po ashtu është bërë e ditur se të dyshuarit kanë dëmtuar viktimën në vlerë 600 mijë euro.

“Personat e arrestuar dyshohet se në këtë rast kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj viktimës me qellim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdes dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme personat e dyshuar i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës në vlerën mbi 600.000 euro.Gjatë operacionit policor në cilësi të provave materiale janë sekuestruar tri vetura, motorë sportiv, armë dhe municion, kartëmonedha euro, dokumente të ndryshme si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve”.

Në lidhje me rastin nga Prokuroria e Gjilanit nuk janë deklaruar ende se çfarë dihet saktësisht deri më tani./Lajmi.net/

YouTube player

 

YouTube player