“Hakmarrja ime do të jetë…”, çka ishte shkruar në granatën e dorës që u gjet në banesën e “Plakut të Bregut”?
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dysharit Harbin Vitija, i njohur me pseudonimin “Plaku i Bregut”, nën dyshimin për vrasje në tentativë të ndodhur më 13 qershor në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë. Aty tregohet se çfarë u gjet gjatë kontrollit në…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dysharit Harbin Vitija, i njohur me pseudonimin “Plaku i Bregut”, nën dyshimin për vrasje në tentativë të ndodhur më 13 qershor në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë. Aty tregohet se çfarë u gjet gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit.
Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se më 13 qershor 2024, rreth orës 21:20 në rrugën “Xheladin Hana”, për shkak të mosmarrëveshjeve me persona të panjohur e që njëri prej tyre ishte Z.G., me qëllim të hakmarrjes, tenton ta privojë nga jeta atë dhe personat të cilët dyshohet se banonin në banesën ku dyshohet se banonte G.
Me këtë, Vitija thuhet se me dashje ka vënë në rrezik jetën e një ose më shumë personave të tjerë, duke shkuar prapa banesës ku edhe shkrep disa herë me armë zjarri në drejtim të saj. Sipas Prokurorisë, plumbat e kishin goditur edhe një banesë tjetër. Më pas, i pandehuri kishte ikur nga vendi i ngjarjes dhe kishte qëndruar në arrati derisa ishte arrestuar nga Policia.
Me këtë, Harbin Vitija dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, në kërkesën e Prokurorisë thuhet se i dyshuari ka mbajtur armë pa leje, ashtu që me armën AK-47 kishte shkrepur në vendin e ngjarjes- jashtë në oborr prapa banesës ku janë gjetur dhe sekuestruar 19 gëzhoja, kurse në banesën e cila dyshohet se ka qenë cak i sulmit, janë gjetur nëntë predha që dyshohet se kanë ardhë nga jashtë, e të cilat janë sekuestruar.
Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedimi i paautorizuar i armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.
Vitija dyshohet se me dashje ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm me anë të armës së zjarrit në banesën e të dëmtuarit A.A., e cila banesë gjendet më poshtë banesës që dyshohet se ishte cak i sulmit. Si pasojë e thyerjes së xhamave, thuhet se i dëmtuari A.A., kishte pësuar lëndime trupore dhe i është ofruar tretman mjekësor. Të njëjtit i është shkaktuar dëm material.
Me këtë, Vitija dyshohet se ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, par.1 të Kodit Penal.
Sipas Prokurorisë, Harbin Vitija është arrestuar më 18 qershor 2024 dhe gjatë kontrollit të banesës së tij thuhet se janë gjetur një granatë dore me mbishkrimin “Hakmarrja ime do të jetë mos sot ni dit po. Plaki”, një kallash A-47 me një fishek në tytë, një armë zjarri “Zoraki”, 25 fishekë, një thikë, një karikator për armë të shkurtra, dy karikatorë për AK-47 dhe dy fishekë, të cilat janë sekuestruar.
Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.2 të Kodit Penal.
Në arsyetimin e kësaj kërkese, thuhet se Prokuroria ka gjetur se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri i ka kryer veprat penale të lartcekura dhe me qëllim të sigurimit të pranisë së tij në procedurë, pengimit të përsëritjes së veprave penale, kërkohet caktimi i masës së paraburgimit me arsyetimin se janë plotësuar të gjitha kushtet.
Prokuroria ka konsideruar se po të gjendet në liri i dyshuari, atëherë ekziston rreziku i arratisjes në mënyrë që t’i shmanget përgjegjësisë penale, t’i fshehë apo ndryshojë provat si dhe ekziston rreziku që mund të përsërisë veprën penale ose të kryejë vepra të natyrës tjetër.
Po ashtu, përmendet edhe fakti se nga koha e kryerjes së veprës penale i dyshuari ka qenë në arrati dhe pas një pune intensive e kanë gjetur dhe arrestuar.
Ndryshe, në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë të enjten është mbajtur seanca dëgjimore, ndërsa pritet të merret vendim lidhur me kërkesën e Prokurorisë.