Qeli me qira: Shqetësime për respektimin e të drejtave të të burgosurve

Një marrëveshje që i jep Danimarkës në shfrytëzim një burg në Kosovë për rreth 10 vjet, në shkëmbim të mbi 200 milionë eurove, ka ngritur shqetësime se mund të çojë në shkelje të të drejtave të njeriut për të burgosurit që vijnë nga Danimarka, por edhe për të burgosurit brenda Shërbimit Korrektues në Kosovë. Me…

Lajme

04/06/2024 15:57

Një marrëveshje që i jep Danimarkës në shfrytëzim një burg në Kosovë për rreth 10 vjet, në shkëmbim të mbi 200 milionë eurove, ka ngritur shqetësime se mund të çojë në shkelje të të drejtave të njeriut për të burgosurit që vijnë nga Danimarka, por edhe për të burgosurit brenda Shërbimit Korrektues në Kosovë.

Me një kuti veglash në dorë, një i burgosur në dukje i ri në moshë, niset nga objekti ku gjendet qelia e tij tek objekti ngjitur brenda Qendrës së Paraburgimit në rajonin e Gjilanit.

I përcjellë nga një zyrtar policor dhe i veshur me një jelek ngjyrë portokalli, ky burrë çon kokën vetëm për të përshëndetur pjesën tjetër të zyrtarëve që ruajnë hapësirat e qendrës ku ai vuan dënimin.

Brenda burgut, ky burrë, herë pas here, punon si mjeshtër nëse ka prishje të sistemeve hidraulike.

Ai është një nga 28 të dënuarit që ndajnë këtë hapësirë së bashku me rreth 200 persona të paraburgosur, që presin verdiktin nga gjykata lidhur me fajësinë e tyre.

Ata nuk dëshirojnë të flasin për media – disa nga kufizimet ligjore e disa nga hezitimi.

Ky burg, në pjesën lindore të Kosovës, i hapur në vitin 2016, nuk është qendër korrektuese, andaj të dënuarit që gjenden aty, janë në numër të vogël dhe me arsye specifike.

“(Ata kryejnë) punë të ndryshme, por edhe për çështje humanitare. Për shkak të largësisë nga familja, kur afrohen në përfundim të dënimit, vijnë edhe në qendrën tonë, por numri është i limituar”, thotë Sami Halitaj, drejtor i Qendrës së Paraburgimit.

Në kohën e tyre të lirë, një i burgosur tjetër është angazhuar në pastrimin e hapësirave përreth.

Të gjithë paguhen për punën që bëjnë – rreth një euro në ditë.


Hapësirat e këtij burgu që gjendet në fshatin Pasjak, nuk do të jenë edhe për shumë gjatë vendqëndrim i këtyre të burgosurve, kryesisht kosovarë.

Përmes një marrëveshjeje të ratifikuar në Kuvend më 23 maj, Mbretëria e Danimarkës do të marrë në shfrytëzim këtë burg për të sjellë rreth 300 të dënuar nga ky vend.

Në nënshkrimin fillestar të marrëveshjes ndërmjet ministrave të Drejtësisë së dy vendeve, më 2022, zyrtarët danezë thanë se kjo po bëhet për t’i liruar hapësirat e mbushura të burgjeve në Danimarkë.

Ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Nick Haekkerup, la të kuptohej se të burgosurit që do të vijnë në Kosovë, do të jenë shtetas të Danimarkës apo vendeve të Bashkimit Evropian.

“Me këtë marrëveshje, Danimarka dërgon gjithashtu një sinjal të qartë për të huajt nga vendet e palëve të treta që janë dënuar me dëbim. E ardhmja juaj nuk është në Danimarkë dhe për këtë arsye nuk do ta kryeni dënimin tuaj këtu”, tha Haekkerup më 23 maj, sipas agjencisë Associated Press.
Për marrëveshjen që do të hyjë në fuqi brenda pak ditësh, nuk dihen shumë detaje.

Ministria e Drejtësisë i tha Radios Evropa e Lirë se faza e parë e zbatimit të kësaj marrëveshjeje është adaptimi i hapësirave të burgut “sipas kërkesave të Mbretërisë së Danimarkës”.

Kjo fazë pritet të zgjasë deri në dy vjet, për të nisur më vonë transferimi i të burgosurve.

Danimarka u zotua se nuk do të sjellë të burgosur me rrezikshmëri të lartë.

Në anën tjetër, Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk ka treguar se ku dhe si do të sistemohen të burgosurit që veçse gjenden në burgun e Gjilanit.

Mungesa e informacioneve mbi këtë marrëveshje e ka shqetësuar shoqërinë civile në Kosovë.

“Ne kemi vërejtur që vitet e fundit ka munguar një debat publik mbi këtë marrëveshje, as Kuvendi i Kosovës nuk është që ka debatuar mbi të”, thotë Mehmet Musaj nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Kjo organizatë që monitoron burgjet e Kosovës thotë se kanë shqetësime për shkak të implikimeve që kjo marrëveshje mund të ketë në uljen e kualitetit të jetesës së të burgosurve brenda Shërbimit Korrektues në Kosovë.

“Sistemi korrektues i Kosovës për vite me radhë ka ndërtuar një sistem solid të menaxhimit të të drejtave për personat e privuar nga liria. Tani, zhvendosja e të paraburgosurve nga Gjilani mund ta ulë këtë standard. Mund të ndikojë drejtpërsëdrejti në mbipopullim”, thotë Musaj.

Sipas të dhënave të SHKK-së, në të gjithë burgjet e Kosovës, aktualisht janë rreth 1.800 të burgosur dhe afër 1.100 “shtretër të lirë”.

Të dhëna të sakta për shpërndarjen e të burgosurve nëpër qendra korrektuese dhe të paraburgimit, nuk dihen.

Kushtet e burgjeve dhe qendrave të paraburgimit në Kosovë përmbushnin disa standarde ndërkombëtare, por problemet që përsëritën nga viti në vit përfshijnë “raportet për dhunën e të burgosurve, korrupsionin, ekspozimin ndaj pikëpamjeve radikale fetare ose politike dhe trajtimin e papërshtatshëm për të burgosurit me aftësi të kufizuara mendore”, sipas raportit të të drejtave të njeriut të Departamentit amerikan të Shtetit për vitin 2023.

Për shumicën, përfshirë atë të Gjilanit, kushtet fizike në qendrat e paraburgimit nuk i kanë përmbushur standardet ndërkombëtare për shkak të ventilimit joadekuat, mungesës së dritës natyrore dhe hapësirave të ngushta fizike. Megjithatë, asnjë nga këto çështje nuk u raportua të jetë kërcënuese për jetën.

SHKK-ja e as Ministria e Drejtësisë nuk i kanë komentuar shqetësimet e ngritura mbi shkelje të mundshme të të drejtave të njeriut me këtë marrëveshje, veçse Qeveria e ka konsideruar marrëveshje me përfitim.

“Kjo marrëveshje është një dëshmi e besimit dhe respektit reciprok mes dy vendeve tona. Ajo do të sjellë përfitime të ndërsjella dhe do të hapë dyer të reja për bashkëpunime të ardhshme”, kishte shkruar ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, në Facebook më 23 maj.

Një shqetësim tjetër i QKRMT-së ishte edhe largimi potencial i të burgosurve që vijnë nga rajoni i Gjilanit nga familjet e tyre duke i vështirësuar vizitat familjare.

“Një shqetësim tjetër i yni ka të bëjë edhe me stafin lokal. Nga ajo që neve na është thënë që aktualisht derisa të jetë i gatshëm burgu i Gjilanit, stafi lokal do të punojë në qendra tjera dhe kjo do të jetë një ngarkesë edhe për ta, sepse janë staf lokal duhet të udhëtojnë çdo ditë”, thotë Musaj për Radion Evropa e Lirë.