OSBE kërkon që institucionet në Kosovë të ofrojnë qasje të barabartë në banim social për të gjitha komunitetet e cenueshme

Misioni i OSBE-së ka publikuar sot raportin tematik “Vlerësimi i banimit social dhe ndërtimit të banesave sociale në Kosovë 2018 – 2023” që shqyrton situatën rreth banimit social në 34 komuna në Kosovë në gjashtë vitet e fundit. Në njoftimin për media thuhet se raporti konkludon se komunat kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për përgatitjen…

Lajme

16/05/2024 14:08

Misioni i OSBE-së ka publikuar sot raportin tematik “Vlerësimi i banimit social dhe ndërtimit të banesave sociale në Kosovë 2018 – 2023” që shqyrton situatën rreth banimit social në 34 komuna në Kosovë në gjashtë vitet e fundit.

Në njoftimin për media thuhet se raporti konkludon se komunat kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për përgatitjen dhe zbatimin e programeve të banimit social dhe se përfituesit janë përzgjedhur përgjithësisht në përputhje me parametrat e ligjit.

Megjithatë, raporti vë në dukje se komunat jo gjithmonë i kanë përmbushur obligimet e tyre sa i përket vlerësimit të nevojave për banim social, ndarjes së burimeve njerëzore dhe financiare të nevojshme, përgatitjes dhe miratimit të programeve të banimit social në kohën e duhur, apo kërkimit të fondeve nga niveli qendror për të monitoruar dhe zbatuar këto programe.

“Gjithashtu, raporti konstaton se ka pasur mungesë të përgjithshme transparence në lidhje me historikun e aplikantëve/përfituesve dhe mungesë të të dhënave të ndara, gjegjësisht të kategorizuara sipas gjinisë ose sipas komuniteteve joshumicë, e që është thelbësore për identifikimin e grupeve të cenueshme ose të pafavorizuara në nevojë për banim social. Të dhëna të tjera të kategorizuara, siç janë ato për persona me aftësi të kufizuar, persona të zhvendosur ose viktima të dhunës në familje ose dhunës ndaj grave, përgjithësisht nuk janë përfshirë gjithashtu”, thuhet në reagimin e OSBE-së.

Gjetjet në raport tutje tregojnë se palët e treta kanë luajtur një rol të madh në ndërtimin e banesave sociale në Kosovë gjatë viteve 2018-2023. Bazuar në të dhënat e mbledhura, komunat kanë pasur një tendencë të shtuar për t’iu drejtuar palëve të treta, kryesisht OJQ-ve, për të ndërtuar shtëpi private banimi për përfituesit në vend të ndërtimit të banesave sociale siç parashihet në Ligjin e Kosovës për Banim Social.

“Ndërkohë që mbështetja për familjet në nevojë përmes ndërtimit të banesave private të banimit është e mirëseardhur dhe, në disa raste e nevojshme, ngre shqetësime nëse kjo është mënyra më e përshtatshme për adresimin e çështjes së banimit social që garanton trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet”, tha Bilbil Kastrati, zyrtar ligjor në Misionin e OSBE-së në Kosovë.

“Prandaj, raporti ynë rekomandon që institucionet duhet të jenë të përgjegjshme dhe transparente për fondet që i kanë marrë nga akterët joinstitucional dhe që kriteret e përzgjedhjes për përfituesit t’i përmbahen legjislacionit në fuqi”, shtoi Kastrati.

Raporti përmbyllet me rekomandime për institucionet kryesore në këtë fushë: Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe komunat, me qëllim të forcimit të sistemit të banimit social për të ofruar mundësi të barabarta banimi për të gjitha komunitetet e cenueshme në Kosovë. /Lajmi.net/