Shtëpia e Bardhë në trysni të madhe, pas sulmit me dronë ditë më parë
Shtëpia e Bardhë ndodhet në trysni të madhe pas sulmit me dron në bazën amerikane në Jordani. Tre ushtarë amerikanë u vranë dhe 30 të tjerë u plagosën nga sulmi me dron i militantëve të mbështetur nga Irani. Zyrtarët amerikanë thonë që nuk janë në mendje që të futen në luftë me Iranin, por nuk…
Bota
Shtëpia e Bardhë ndodhet në trysni të madhe pas sulmit me dron në bazën amerikane në Jordani. Tre ushtarë amerikanë u vranë dhe 30 të tjerë u plagosën nga sulmi me dron i militantëve të mbështetur nga Irani.
Zyrtarët amerikanë thonë që nuk janë në mendje që të futen në luftë me Iranin, por nuk do të qëndrojnë duarkryç dhe janë zotuar që të ndërmarrin një përgjigjje të shpejtë ndaj grupeve militante të mbështetura nga Irani. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, kjo mund të përshkallëzonte dhe zgjeronte konfliktin e shkaktuar nga sulmi i Hamasit ndaj qytetarëve izraelitë më 7 tetor.
“Nuk do të ndërmarr sulme këtu nga podiumi dhe as nuk do t’i paraprij vendimmarrjes së presidentit. Siç e thashë dje, ne do të kundërpërgjigjemi. Do ta bëjmë në kohën e duhur dhe në mënyrën që do të zgjedhë presidenti, si komandant i përgjithshëm. Dhe do ta bëjmë këtë plotësisht të ndërgjegjshëm për faktin se këto grupe, të mbështetura nga Teherani, kanë marrë jetët e ushtarakëve amerikanë”, tha John Kirby, i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Sekratari i Shtetit, John Kirby saktësoi se një gjë është e qartë.
Nuk kërkojmë luftë me Iranin. Nuk kërkojmë konflikt ushtarak me regjimin”, tha ai.
Ndërsa zyrtarët iranianë mohuan përgjegjësinë.
“Nuk kërkojmë tensione as me Amerikën, brenda apo jashtë rajonit. Republika Islamike e Iranit beson seriozisht tek zgjidhjet politike për mosmarrëveshjet ndërkombëtare apo rajonale”, tha Nasser Kanaani, zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Iranit.
Kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg, shprehu ngushëllime për ushtarët e vrarë dhe akuzoi Iranin për sulmin e kryer.
“Shohim se Irani vazhdon të destabilizojë rajonin. Irani ka gjithashtu përgjegjësinë për mbështetjen e terroristëve që sulmojnë anijet në Detin e Kuq. Sjellja e Teheranit na kujton se si do të ishte një botë pa rregulla: e paparashikueshme dhe e rrezikshme, një botë ku siguria jonë bëhet më e kushtueshme”, tha Jens Stoltenberg, sekretar i përgjithshëm i NATO-s.
Ndërsa ish punonjësi I CIA-s reagoi që ShBA ka dështuar në përpjekjet e saj për të mos lejuar përzhkallëzimin e tensioneve rajonale.
“Është e qartë se strategjia amerikane e tre muajve të fundit, për të mos lejuar përshkallëzimin e tensioneve rajonale, ka dështuar”, thotë Bernard Hudson, ish punonjës i CIA-s.
Analistët, dhe qytetarë nga Jordania kanë thënë që konflikti ka marrë një dimension të ri.
Ky sulm përfaqëson një dimension të ri të konfliktit. Sulmi ndaj forcave amerikane brenda Jordanisë, apo në kufirin jordanez, do të thotë se sulmet po shtrihen nga Siria dhe Iraku, tashmë në Jordani”, thotë analisti politik, Amer Sabaileh.
Cilat do të jenë hapat në vazhdim? Vendimi është tashmë në dorën e presidentit Biden.
“Humbëm tre njerëz kurajozë në sulmin ndaj bazës sonë. Kërkoj një moment heshtjeje për tre ushtarët tanë të rënë… Dhe ne do të përgjigjemi. Zoti ju bekoftë të gjithëve!”, tha presidenti Biden./VOA/